Blloku thotë se me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar sot hapet rruga për krijimin e institucioneve nga blloku LDK-AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë
Liderët e koalicionin LDK-AAK-Nisma, janë mbledhur në ndërtesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ky takim erdhi pas publikimit të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës më 17 korrik. Blloku thotë se me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar sot hapet rruga për krijimin e institucioneve nga blloku LDK-AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.
“Jemi të habitur me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kam përshtypje se është marrë vendimi në zyrat e PDK-së e jo të Kushtetueses”, u shpreh pas takimit kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, raporton Telegrafi.
“Kjo e drejtë e PDK-së që ia dha Gjykata Kushtetuese, përmbyllet me epilogun e kandidimit. Me dështim përmbyllet kjo e drejtë që ua dhanë. Për zgjedhjet e kryeparlamentarit koalicioni nuk do të negociojë në asnjë rast me PDK-në. Ne e kemi kandidatin dhe i kemi votat. Do ta shohim këtë seancën e ardhshme, që shpresojmë të mbahet më shpejtë. Do të konsumohet e drejta e atribuuar dhe e pastaj vjen e drejta parlamentare me zgjidh kryetarin dhe kryesinë. E kemi përkrahjen e subjekteve, e pasi të konsumohet kandidatura e PDK-së, Parlamenti duhet me gjet zgjidhje, e ne kemi zgjidhje”.















