Ai më tutje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos bëjë lëshime në raport me Listën Serbe, vetëm që ta kalojë këtë marrëveshje.
“Ne jemi popull evropian dhe e meritojmë të jemi të lirë, optimist jam dhe do të jem gjithmonë, por e kam parë edhe në media të huaja që edhe po të ratifikohej marrëveshja e demarkacionit, liberalizimi i vizave prapë do të ishte vonuar. Kryeministri vetëm e ka trashëguar këtë marrëveshje, kjo marrëveshje është ratifikuaar kur ai ka qenë në opozitë. Kryeministri Mustafa sot gjendet në një pozitë jo të lehtë. Më mirë sot kish qenë me vendos në Kuvend dhe të votohej edhe ish përfunduar kjo çështje. Kërkoj nga Qeveria e Kosovës të mos bëjë koncesione me Listën Serbe, pasi jemi duke ia humbur kuptimin shtetit tonë”.
…………..
Haradinaj: Jemi partnerë të amerikanëve, por jo duke dëmtuar veten
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se sot deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin në nivelin e përgjegjësive të tyre kushtetuese, duke bërë që demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të tërhiqet nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka deklaruar se kjo nuk ishte fitore e asnjë krahu politik, por e vendit, pasi u parandalua falja e mbi 8 mijë hektarëve fqinjit.
“Është një vetëdijesim i mjaftueshëm i deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Kjo nuk është fitore e asnjë subjekti politik, por e vendit”.
“Mendoj që deputetë në kuvend kanë qenë mbi 100 dhe nëse do të votonin për, demarkacioni do të kalonte, kështu që numri i deputetëve prezent nuk ka qenë problem. Por deputetët e kanë kuptuar qartë që kjo marrëveshje është e dëmshme se ajo duhet të kthehet në pikën zero”.
“Pushteti ka kohë që ka deklaruar se i ka votat, ndërsa sot u arsyetua se po kërkon koncesione Lista Serbe. Ne nuk mund t’i japim besim një marrëveshje që i heq territorit të Kosovës mbi 8500 hektarë”.
Haradinaj më tutje ka komentuar deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, që ka deklaruar se po rrezikohet izolimi i vendit, duke theksuar se vet Thaçi është e keqja e Kosovës, njofton Klan Kosova.
“Presidenti i Kosovës është e keqja e vendit sepse ai e ka nënshkruar atë marrëveshje me Malin e Zi. Nënshkrimi i tij ka qenë izolim i vendit. E di edhe vet Thaçi që të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë nuk e kanë përfunduar demarkimin e kufirit. Nuk është kjo pengesë për liberalizim e vizave”.
Deputeti dukagjinas ka bërë të qartë, për bindjen e tij, se ky kundërshtim nuk i prish raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne jemi partnerë të popullit amerikan, por nuk mendoj se mund ta fuqizojmë partneritetin duke dëmtuar veten”.
“Sot tema e demarkacionit e ka tejkaluar një subjekt politik, e ka tejkaluar opozitën. Kjo është çështje të cilën duhet ta zgjidhin deputetët e Kuvendit të Kosovës. Të gjithë e kanë obligim që ta garantojnë sovranitetin e Kosovës”.
“Protesta gjithmonë e ka një qëllim: sensibilizimin e opinionit. Ne kemi protestuar tash e 18 muaj në të gjitha format. Jemi të bindur që protestat tona dhe kundërshtimi ynë permanent e kanë bërë të qartë që kjo marrëveshje është e keqe. Protesta e sotme ka treguar që qytetarët e kanë ngritur zërin”.





















