Në një kohë kur bizneset turistike po përjetojnë ditët e tyre më të këqija, shpresa e vetme e tyre janë paketat turistike që ofrojnë brenda vendit dhe paketat turistike me Turqinë, që këtë vit ka reduktuar ndjeshëm numrin e tyre.
Ato që po e ndjejnë krizën e shkaktuar nga pandemia e Covid-19 më së shumti janë agjencitë e vogla turistike të cilat shpresat e fitimit I kanë me shitjet e paketave ditore apo 5-6 ditore që ofrojnë në zona të ndryshme turistike brenda vendit.
Por çfarë po ndodh me guidat turistike? Të lëna paksa jashtë vëmendjes së Task-Force, ato prej fillimit të muajit korrik kanë nisur turet turistike që kanë si destinacion jo vetëm bregdetin por dhe turizmin malor.
Të pyetur nga Gazeta “Shqip”, disa prej përfaqësuesve të agjencive turistike pranuan se kontrollin shëndetësor e kanë lënë në duart e klientëve.
“Ne nuk masim temperaturën, sa i takon masave anti-covid ja kemi lënë në dorë klientëve. Ne kemi kërkuar pajisjen e tyre me maska e doreza, por temperatura nuk matet”, u shpreh një prej guidave turistike më të njohura në Tiranë.
Por nga informacionet mësohet se mes personave që zgjedhin të pushojnë në jug ka pasur të infektuar. Kështu, në një nga hotelet e Qeparoit apo në Dhërmi mësohet se janë infektuar pothuajse një familje e tërë. Nuk dihet nëse bizneset respektojnë me rigorozitet masat për dezinfektimin e ambienteve të tyre, duke qenë se jemi në kulmin e sezonit turistik.
Të etur për të përfituar sa më shumë nga sezoni që kulmin e ka në muajin gusht, duket se bizneset po neglizhojnë më kryesoren, shëndetin e turistëve, klientëve.
Një tur përbëhet nga maksimumi 20 persona të cilët janë të detyruar të ndjekin programin e guidës, të organizohen me aktivitete dhe të konsumojnë vaktet e ushqimit së bashku në tryezë. Por grumbullimet sipas ekspertëve të shëndetit publik, janë një nga shkaqet e infektimit nga virusi Covid-19.
E ndërsa biznesi e ka lënë gjithçka në dorë të klientit, duhet që strukturat përgjegjëse të zbatojnë procedurat e të monitorojnë guidat turistike, si biznesi që po operon në këtë periudhë në të gjithë zonat turistike në vend.
© Gazeta Shqip



















