Dy shqiptarët e arratisur dje nga paraburgimi i Selanikut në Greqi vijojnë të jenë ende në kërkim nga policia. Kjo e fundit nuk përjashton mundësinë që ata të kenë patur celularë dhe bashkëpunëtorë që i kanë ndihmuar të largohen.
Sipas mediave greke, dy shqiptarët janë 42-vjeçari Ludovik D. dhe 33-vjeçari Kanina L. I pari konsiderohet tepër i rrezikshëm, pasi ka qenë i dënuar për vrasjen e një 50-vjeçari shqiptar në vitin 2009. Ai u dënua me shumë vite burgim dhe u transferua nga burgu i Larisas për në burgun e Nigritas.
Kurse 33-vjeçari Kanina L. vuante dënimin për trafik droge dhe u transferua nga burgu i Kozanit për në burgun Domokos. Të dy mbërritën dje në paraburgimin e Selanikut, për t’u transferuar më pas në burgjet përkatëse. Ata mbërritën rreth orës 03:00 të mëngjesit sipas orës lokale, dhe vetëm një orë më vonë ata mundën të arratiseshin nga paraburgimi i Selianikut duke shqyer hekurat e dritares.
Në këtë pikë, policia dyshon se ata kishin celularë me vete dhe jashtë ishin bashkëpunëtorë të tyre që i ndihmuan të largoheshin. Mungesa e tyre në qeli u vu re në mëngjes nga oficeri i shërbimit.
Të burgosurit e tjerë thanë se dëgjuan zhurmë nga qelia e shqiptarëve dhe se ishin sharruar hekurat e dritares. Autoritetet greke besojnë se ata janë fshehur në zonën industriale të Sindos, ku ka shumë ndërtesa të braktisura.














