Një aksident i rëndë ka ndodhur natën e kaluar në Greqi, në kilometrin e 61-të të rrugës Athinë-Lamia, në të cilin janë përfshirë rreth 35 mjete. Në aksident ka mbetur e vrarë një grua 28 vjeç dhe janë plagosur 7 të tjerë, 5 prej të cilëve nga e njëjta familje. Dy nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë në spital. Në aksident, veç makinave të vogla, janë përfshirë edhe 2 kamionë dhe një autobus, në të cilin udhëtonin disa studentë.
Nuk janë sqaruar rrethanat e këtij aksidenti të rëndë, por sipas dëshmive të para të shoferëve të mjeteve, frenat nuk kanë kapur, duke bërë që makinat të përplasen me njëra-tjetrën. Një prej drejtuesve tha për Televizionin MEGA se një nga makinat humbi kontrollin për shkak të rrugës së rreshqitshme dhe më pas krijoi një karambol me makinat që vinin nga pas. Hetimet për aksidentin e rëndë vazhdojnë.















