“Mund të them se kjo nuk është politika e Presidentit Trump”, tha emisari i posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi
Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka deklaruar se ideja e shkëmbimit të territoreve mes këtyre dy vendeve ka dalë nga ish-Këshilltari Kombëtar për Sigurinë i presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton.
Në një intervistë në Fox News, Grenell ka përsëritur se kjo nuk ka qenë kurrë në plan por thashethemi i nisur nga Bolton ka dëmtuar përpjekjet e diplomacisë amerikane për një marrëveshje në Ballkan.
Bolton po boton një libër me kujtime nga puna e tij në Shtëpinë e Bardhë, që është turpërues për Presidentin Donald Trump. Kjo ka sjellë reagime të ashpra nga figura të administratës dhe vetë Presidenti që e akuzojnë Boltonin për gënjeshtra dhe tradhëti.
Grenell, gjatë bisedës televizive me Laura Ingraham, tha se Boltoni ka qenë problematik në shumë tema të politikës së jashtme, që nga Irani, Koreja e Veriut.
“Kur flasim për Kosovën dhe Serbinë, presim që përfaqësuesit e tyre të vijnë në Shtëpinë e Bardhë ku do të diskutojmë për lëvizjet e marrëveshjes historike. Unë vazhdimisht i kam luftuar thashethemet për shkëmbim territoresh mes dy vendeve dhe mund të them se kjo nuk është politika e Trumpit, por kur gërmon më thellë të dy palët thonë se ashtu ka deklaruar Bolton. Kështu unë jam duke luftuar këto thashetheme”, ka deklaruar Grennell.
Bolton ka qenë në fakt një nga diplomatët e rrallë amerikanë që janë shprehur kundër pavarësisë së Kosovës dhe emërimi i tij si Këshilltar Kombëtar i Sigurisë u prit me shqetësim nga shumë shqiptarë.



















