“Vjen ndonjëherë i pirë dhe godet. Nuk kam ku të iki. Nëna dhe babai më thonë rri tek burri. Kam frikë nëse burgoset dhe del prap”, thotë një viktimë e dhunës.
Por cilat janë shkaqet të cilat kanë cuar në një rritje kaq të ndjeshme të dhunës në familje. Statistikat thonë në 88 rastet ku është dhënë urdhër mbrojtje, në 73 dhunuesi është me arsim 9 vjeçar dhe vetëm 1 me arsim të lartë, ndërsa në 65 raste dhunuesi është i papunë. Por sipas psikologëvë këto janë vetëm shkaqet që duken.
“Kuptohet që ky është një tregues i vështirësive që kalon familja sot, që lidhet me stilet e reja të jetës, me transformimet e shpejta, pasigurinë, varfërinë, papunësinë dhe mungesën e shpresës”, thotë psikologia Fatbardha Gjini.
Nga ana tjetër psikologët tregojnë edhe disa nga rrugët që mund të ndiqen për të minimizuar dhunën në familje.
“Nuk mund ta shmangim dhunën duke u trajtuar vetëm dhunuesi. Edukimi, puna formuese për familjen dhe shkolla kanë një rol shumë të rëndësishëm”, shton psikologia Gjini.
Në shumicën e rasteve dhuna në familje çon në shkatërrimin e kësaj të fundit. Gjatë 10 mujorit të këtij viti në qarkun e Elbasanit i kanë dhënë fund martesës 323 çifte.
Dhe edhe pse sot ishte një ditë sensibilizimi kundër dhunës në familje, policia e Elbasanit arrestoi dy persona që kishin kryer këtë vepër penale.






















