Sapo mbërritën policët e ndërhyrjes së shpejtë, 4 grabitësit e dyshuar filluan të qëllojnë kundër policisë,e cila iu përgjigj me breshëri zjarrit. Banda e hajdutëve mundi të futet në një magazinë, prej nga ku vazhdoi të qëllojë kundër oficerëve.
Të gjendur nën rrethimin e policisë, grabitësit u detyruan t’i dorëzohen forcave speciale të ushtrisë “EKAM”, të cilët janë trajnuar enkas për situata të tilla. Në zonën e ngjarjes, policia thotë se njeri prej grabitësve u gjet i plagosur prej plumbave të saj. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi t’iu shpëtojë plagëve të marra. Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për një 32-vjeçar shqiptar, për të cilin deri tani nuk rezulton se ka qenë i implikuar në ndonjë ngjarje ose vepër penale.
Tre anëtarët e tjerë të bandës, identitetet dhe kombësia e të cilëve ende nuk dihet, u dërguan në Drejtorinë e Policisë së Atikës, ku dhe po merren në pyetje.
Autoritetet thonë se po hetojnë lidhur me ngjarjen. Në zonë ka mbërritur mjeku ligjor dhe prokurori për të kryer hetimet e mëtejshme.
Prokurori ka urdhëruar sekuestrimin e armëve të shërbimit të të gjithë policëve që morën pjesë në aksion, për të kryer verifikimet dhe gjetjen e armës nga e cila është bërë qitja, që shkaktoi vdekjen e 32-vjeçarit.






















