Dy persona të maskuar dhe armatosur kanë vjedhur me dhunë banesën e shtetasit GJ.L., 78 vjeç. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në fshatin Gëziq të Mirditës. Sipas policisë, dyshohet se grabitësit kanë qëlluar me armë zjarri, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.
Nën kërcënimin e armës dhe dhunës, autorët e krimit kanë marrë prej andej rreth 5 mijë lekë të reja e tre celularë. Në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor, ku mori në pyetje të moshuarin.
Ky i fundit ka thënë përpara policisë se grabitësit kanë qenë të maskuar e për pasojë nuk ka qenë në gjendje që t’i identifikojë. Në skenën e krimit, policia ka gjetur një gëzhojë model 56, kalibër 7.62 mm, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.















