Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Anthony Godfrey, ka deklaruar se marrëveshja midis Kosovës e Serbisë mund të arrihet për një apo dy vjet.
Godfrey ka pohuar se problemi mes Kosovës dhe Serbisë nuk është i vogël, por ka shtuar se është optimist që është e mundur të gjendet një zgjidhje kompromisi. Ai e ka bazuar këtë parashikim në shpjetësinë e arritjes së marrëveshjes ekonomike midis dy vendeve.
“Shihni me çfarë sh[pejtësie është bërë përparim vetëm në muajt e fundit“, ka thënë ai për gazetën beogradase “Kurir“.
Diplomati amerikan ka thënë se Uashingtoni ka bashkëpunim të ngushtë me Brukselin për dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“BE-ja duhet të drejtojë një dialog prosperues dhe energjik ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për të zgjidhur çështjet politike”, ka thënë ai.
Sipas tij, SHBA-ja beson se mund të luajë një rol jetik në përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike në Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë mbështetje direkte rajonit për integrim në Bashkimin Evropian.
Godfrey ka thënë se qëndrimi amerikan ndaj rajonit të Ballkanit nuk do të ndryshojë as pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
“Angazhimi ynë në këtë çështje nuk është i ri dhe s’është i lidhur me kampanja zgjedhore të partive. Ne besojmë në rëndësinë e stabilitetit të rajonit. Prioritetet nuk do të ndryshojnë as pas zgjedhjeve të nëntorit”, ka thënë ai.
Emisari i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një bashkëbisedim që ka pasur me serbët që jetojnë në Amerikë, ka thënë se pas zgjidhjes së problemeve ekonomike, presidenti Trump do të përfshihet edhe në procesin për marrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë.





















