Korrupsioni
Dërgohet për gjykim i pari rast që Krimet e Rënda hetojnë për korrupsion të zyrtarëve të lartë
Prokuroria për Krime të Rënda dërgon për gjykim kërkesën ndaj Dhimitri Pojanakut, ish-gjyqtar pranë Gjykatës së Pogradecit, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal. Ndërkaq, mësohet se ky është rasti i parë që Gjykata për Krime të Rënda do të gjykojë një çështje korrupsioni të zyrtarëve të niveleve të larta, pas ndryshime të Kodit të Procedurës Penale, të miratuara nga Kuvendi, në prill të vitit 2014. Dhimitri Pojanaku, 58 vjeç, është hetuar me masë sigurimi “arrest në burg”, nga data 16 prill 2014 deri në datën 7 maj 2014 dhe “arrest në shtëpi” në vijim.
Sipas akuzës së Krimeve të Rënda, regjistrimi i këtij procedimi është bërë në bazë të akteve hetimore dërguar për kompetencë hetimi nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila e ka regjistruar këtë procedim në datë 9 prill 2014. Regjistrimi i këtij procedimi është bërë në bazë të materialit kallëzues të referuar nga Policia Gjyqësore, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në 9 prill është paraqitur pranë Prokurorisë së Korçës, shtetasja Behare Rushiti, e cila ka sqaruar se ajo ka rreth 5 vjet që po bën gjyqe të ndryshme në Gjykatën e Korçës dhe Apel, në lidhje me një shumë parash që ajo ka marrë me fajde nga shtetasit A.L dhe B.A. Gjyqet e saj kanë të bëjnë me ankimimet ndaj vendimeve të pushimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec dhe në lidhje me paditë civile të ngritura nga pala kundërshtare në proces shtetasit A.L dhe B.A. Së fundi, në Gjykatën e Shkallës së Parë Pogradec, kjo shtetase ka pasur një proces gjyqësor civil me shtetasit e mësipërm dhe çështjen e ka pasur në gjykim gjyqtari Dhimitri Pojanaku. Kallëzuesja në këtë gjykim ka pasur si përfaqësuese ligjore shtetasen K. Vako. Pasi janë bërë një sërë seancash gjyqësore, avokatja i ka thënë gjyqtarit se kishte përpiluar dy kërkesa njërën për përjashtimin e tij dhe njërën për pezullimin. Gjyqtari Dhimitri Pojanaku i ka thënë avokates së kallëzueses se nuk ishte në kushtet e dorëheqjes dhe kërkesa për pezullimin nuk mund të pranohej, pasi nuk ishte caktuar data në Gjykatën e Lartë. Pas kësaj, gjyqtari i ka ofruar avokates një zyrë me qira duke u treguar dashamirës me qëllim që ajo të tërhiqte klientët. Në datën 10 dhjetor 2013, gjyqtari Dhimitri Pojanaku ka bërë dorëheqje për shkak të një kontrate qiraje me avokaten K.Vako në datën 9 dhjetor 2013. Kjo dorëheqje është miratuar nga kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë. Pas heqjes dorë, Pojanaku ka takuar avokaten dhe i ka thënë se ai donte 45 mijë lekë për dorëheqjen e bërë. Këtë fakt avokatja ia ka referuar Behare Rushitit, e cila i ka thënë se nuk kishte lekë për momentin. Duke qenë se Beharja nuk po ia jepte lekët gjyqtarit ky i fundit i ka kujtuar edhe njëherë avokates që Rushiti t’i jepte lekët, pasi në të kundërt ai do t’u prishte punë në gjykatë, pasi çështja ishte ende e pezulluar. Në këto kushte, avokatja i ka thënë kallëzueses që gjyqtari po insistonte dhe kërkonte të merrte sasinë prej 45 mijë lekë. Këtë shumë parash, gjyqtari e ka marrë në dy këste prej kallëzueses Behare Rushiti. Këstin e parë prej 20 mijë lekësh e ka marrë në datën 13 prill 2014, te dera e shtëpisë së tij dhe këstin e dytë prej 25 mijë lekësh e ka marrë në rrugë, në datën 16 prill 2014, po prej kallëzueses. Këto veprime janë dokumentuar dhe me filmime dhe përgjime.
















