Gashi, ish-kandidat i AKR-së për kryetar të Prishtinës në vitin 2009 dhe pronar i kompanisë “Project Engineering” ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit të cilin e drejtonte i akuzuari Hoxha në lidhje me një tender të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).
Sipas aktakuzës, Hoxha me arsyen se ankesat e kompanisë së Gashit dhe konsorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” tashmë janë gjykuar, nuk i ka shqyrtuar ato fare.
Prokuroria pretendon se Hoxha si kryetar i OShP-së, i tejkaloi kompetencat e tij ligjore ashtu që më 3 tetor 2014 dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së me konkluzionin se është “res judicata”, pa i shqyrtuar i ka refuzuar ankesat e disa operatorëve ekonomikë të datës 2 tetor 2014.






















