Gjykata Kushtetuese pritet që nesër (e hënë) të shpallë vendimin për ndarjen e re territoriale.
Vendimi vjen pas shqyrtimit të kërkesës së subjekteve opozitare për të shpallur të papajtueshëm me kushtetutën, ligjin për ndarjen e re administrative dhe territoriale të republikës, miratuar vetëm me votat e mazhorancës së majtë.
Pas shpalljes së vendimit të Kushtetueses, në respekt të afatit gjashtëmujor kohor dhe të fundmajit si afat i rregullt katërvjeçar, presidenti i Republikës duhet të shpallë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të 2015-ës.
Partia Demokratike, ka shpallur publikisht se ajo nuk e njeh ndarjen e re territoriale. Ajo ka paralajmëruar se nëse kjo ndarje do të lihet në fuqi nga Kushtetuesja dhe se do të përdorë të gjitha instrumentet, për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale.
Sakaq, bashkitë dhe komunat që kontrollohen nga opozita, kanë dorëzuar kërkesa për referendum popullor që duhet të vendosë nëse do të ligjërohet ose jo ndarja e re administrativo-territoriale.
















