Në një njoftim të Gjykatës Kushtetuese thuhet se pas mbledhjes së gjyqtarëve është vendosur që të shfuqizohet vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit për bllokimin e lejeve të ndërtimit. Ky vendim për bllokimin e lejeve të ndërtimit është marrë në 22 gusht të vitit 2014.
“Gjykata Kushtetuese pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e palës kërkuese, prapëzimet e subjekteve të interesuara me vendimin e datës, 15/01/2015, bazuar në nenet 131 dhe 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjin nr. 8577, datë 10/02/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” vendosi: Pranimin pjesërisht të kërkesës; shfuqizimin e vendimit nr. 1 datë 22/08/2014 të Këshillit Kombëtar të Territorit për “Harmonizimin e Instrumenteve të Planifikimit Vendor në funksion të ndarjes së re Administrativo-Territoriale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të rrëzojë edhe një kërkesë të një grupi deputetësh të Partisë Demokratike për ndryshimet e bëra në ligjin e gjykatave administrative.















