Disa lande gjermane i mbajnë në burgjet e rregullta, refugjatët e arrestuar që presin dëbimin. Gjykata Europiane vendosi kundër kësaj praktike në vendimin e së enjtes – nuk lejohet që të arrestuarit si refugjatë ilegalë të vendosen në një burg me të dënuarit e tjerë.
Një vietnameze vjen si refugjate në Gjermani, kapet në Bavari dhe mbahet në burgun e Nurembergut nga 29 marsi 2012 deri në 10 korrik 2012, përsa kohë që pret dëbimin. Gjykata e Nurembergut e refuzoi ankesën e saj për bashkimin në burg me të dënuar për vepra të tjera penale. Rasti i vietnamezes arriti deri në Gjykatën Federale, ku gjykatësit nuk morën asnjë vendim, por ia dorëzuan çështjen Gjykatës Europiane dha vendimin e saj ditën e enjte (17.07.) në një çështje mjaft të rëndësishme – nuk lejohet që të arrestuarit si refugjatë ilegalë të vendosen në një burg me të dënuarit e tjerë.
Një interpretim i zgjeruar i ligjit
Organizatat humanitare si ProAsyl dhe Shërbimi Jezuit për Refugjatët e dënojnë praktikën e nëntë landeve gjermane që të vendosin në të njëjtin burg refugjatët ilegalë me të burgosurit e tjerë dhe i referohen një rregulloreje europiane të vitit 2008. “Mbajtja në arrest kryhet parimisht në qendrat përkatëse të arrestit.” Ndërsa teksin gjermanisht të rregullores, thuhet se burgjet gjermane janë të lejueshme, “po qe se nuk ka qendra speciale të mbajtjes në arrest”, në shtetin përkatës. Por këto ekzistojnë në Gjermani, ashtu edhe në lande si Renani-Pfalc, Berlin dhe Brandenburg.
Marei Pelzer, referente për të të drejtën politike tek ProAsyl thekson se rregullorja është e qartë: “Por Gjermania e ka injoruar atë dhe thotë: ‘Ne e lidhim këtë me landin përkatës’. Nga pikëpamja jonë kjo është një shkelje e qartë e ligjit, sepse një land i federatës nuk mund të barazohet me një shtet anëtar të BE-së.”
Kthesë në Bavari
Në vitin 2011 ka pasur rreth 6.500 refugjatë që duhej të dëboheshin. Mesatarisht ata mbahen rreth 30 ditë në arrest para dëbimit, thotë Pelzer. Por lande si Hamburgu, Heseni, Meklenburg-Pomerani, Saksoni e Poshtme, Tyringji i bashkojnë këta persona me të dënuarit e tjerë me burg, sepse nuk kanë qendra speciale të mbajtjes së tyre në arrest. Edhe në Bavari deri në vitin 2013 kjo ishte e zakonshme. Por kur çështja e vietnamezes u dërgua në Gjykatën Europiane, Bavaria e ndryshoi praktikën e saj. Që nga fillimi i vitit refugjatët ilegalë të arrestuar dërgohen në një qendër të posaçme.
Refugjatët ilegalë burgosen si kriminelë
Një ndryshim i tillë praktikash është madje urgjentisht i nevojshëm, sepse është e patolerueshme më që këta persona të mbahen në një burg me autorë veprash penale, thotë ekspertja Pelzer. “Ato janë burgje të vërtetë me kategori sigurie. Problematike është se në këtë rast nuk quhet e kryer një vepër penale. Vetëm kthimi duhet të garantohet, prandaj qendra që mban të arrestuarit gati për kthim duhet të ketë më shumë liri.”
Në burgjet normale rregulloret janë të forta, përdorimi i celularit për shembull nuk lejohet. Edhe prokurori i përgjithshëm francez i Gjykatës Europiane, Yves Bot ishte shprehur më parë se ai një praktikë të tillë të mbajtjes në burg e vlerëson tesi antiligjore. Vendimi i Gjykatës Europiane të enjten i dha atij të drejtë.















