Tanjug shkruan se gjatë këtij takimi janë shqyrtuar një varg masash të përgjigjes së bashkërenduar të Qeverisë së Serbisë dhe të serbëve të Kosovës.
“Përpjekja për konfiskimin e Trepçës nuk do të ndodh. Është arritur pëlqimi se vetëm me aksion të përbashkët mirë të organizuar të Republikës së Serbisë dhe të përfaqësuesve të serbëve në institucionet e përkohshme të administrimit në Prishtinë në këtë situatë mund të mbrohen interesat serbe shtetërore e kombëtare”.
Gjuriq ka vlerësuar se përfaqësuesit e serbëve në këtë moment, duke ngrirë pjesëmarrjen në punën e Qeverisë dhe të Parlamentit kanë marrë të vetmin vendim të mundshëm, që nuk është sinjal se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në marrjen e vendimeve, por se nuk lejojnë të margjinalizohen në çështjet që janë në interes për popullin serb.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ministrat Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq, kryetarët e Shtërpcës dhe Graçanicës, Bratisllav Nikoliq dhe Vladeta Kostiq, dhe drejtori i Trepçës në pjesën veriore, Jovan Dimkiq.
Në këtë takim nuk ka marrë pjesë shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq.























