Ai në Vrnjaçko Banjë ka thënë se ekzistojnë indikacione serioze që një grup i njerëzve, përfshirë ministrat Enver Hoxhaj dhe Edita Tahiri, janë të përzier në ndalimin e lirisë së lëvizjes, që në Serbi, sipas tij, paraqet vepër penale.
Edhe dje Gjuriq kishte deklaruar diçka të ngjashme për Hoxhajn dhe Tahirin, por duket se është më i zbutur sot.
“Tentuan që ta pengojnë personin zyrtar dhe përfaqësuesin e qeverisë që ta kryej punën e tij. Unë do të jem me popullin tonë në Kosovë. Kam shkuar edhe më herët, do të shkojë edhe tash. Shembuj të tillë ka çdo ditë, sepse populli serb në Kosovë është i diskriminuar sistematikisht”, ka thënë ai.
Sipas tij, autoritetet në Kosovë “nuk duhet të luajnë me fjalë kërcënuese”, sepse askënd nga Serbia nuk do të mund ta ndalojnë që të lëviz lirshëm në Kosovë.
“Tentuan edhe në Graçanicë që të më ndalojnë, por nuk ia arritën qëllimit. As tash nuk do t’ia arrijnë”, ka thënë ai në fund.
Të kujtojmë se autoritetet kosovare ia kanë ndaluar hyrjen për një kohë të pacaktuar Gjuriqit në Kosovë për shkak të deklaratave nxitëse dhe vizitave të paparalajmëruara.






















