Mbështetja e Gjermanisë në sektorin energjetik do të vijojë më tej në fuqizimin e sistemit, lidhjes me linjat e interkonjeksioneve, por edhe për energjitë e rinovueshme”, – theksuan sot ekspertët gjermanë të Bankës KfW, një nga mbështetëset kryesore të sektorit pranë panelit për energjinë gjatë konferencës “Së bashku drejt BE-së”, organizuar nga Ambasada e RF të Gjermanisë në Tiranë. Zv/ministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja vlerësoi mbështetjen e derisotme gjermane dhe kërkoi vijimin e saj përballë sfidave me të cilat ndeshet energjetika shqiptare. “Sfida të tjera kemi përpara me sektorin e shpërndarjes si një kompani që sjell kontribut në arritjen e një sistemi të fortë energjetik”, tha Bejtja, duke theksuar ndihmën e Gjermanisë në këta sektorë përmes projekteve, ku spikatin ato të interkonjeksioneve dhe fuqizimit të linjave ekzistuese.
Bejtja kërkoi mbështetjen e Bankës KfW edhe në procesin e harmonizimit të projekteve me donatorët e tjerë për sektorin energjetik shqiptar. Drejtori i Përgjithshëm i OST-së, Engjëll Zeqo vlerësoi ndihmën e Bankës gjermane KfW në realizimin e projekteve madhore, si ndërtimi i linjës së interkonjeksionit me Kosovën, Unaza e Jugut etj. “OST po punon me projekte për zhvillimin dhe fuqizimin e sistemit të transmetimit të energjisë”, – tha Zeqo duke vlerësuar ndërkohë projektligjin e ri për energjinë, ku OST pritet të operojë me modelin e ri të tregut si operator i pavarur.















