Andreas Schockenhoff, Hans Joachim Falenski dhe Johann Wadephul, deputetë të Bundestagut gjerman nga partia e kancelares Angela Merkel, CDU, do të shkojnë në Beograd më 10 korrik për një vizitë dy ditore, raporton gazeta serbe “Danas” duke iu referuar burimeve të saj diplomatike në Berlin.
Sipas këtyre burimeve, në takimet që do t’i kenë me zyrtarët serb, zyrtarët e lartë gjermanë do të kërkojnë vazhdimin e dialogut me Prishtinën.
Ky burim ka thënë se deputetët gjermanë do të kërkojnë nga Serbia implementimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit dhe një dinamikë të re dialogun e ardhshëm i cili është ndërprerë për shkak të zgjedhjeve në Serbi, Bashkim Evropian dhe Kosovë, transmeton Lajmi.net.
Andreas Schockenhoff, zyrtar i lartë i CDU-së, është i njohur për sjelljen në Serbi të shtatë pikave të famshme, të cilat duhet t’i plotësojë Serbia, gjatë rrugëtimit të saj për anëtarësim në BE.
Një pikë e kësaj liste përfshinte edhe nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim të raporteve me Kosovën, e cila do të duhet të jetë e zbatuar deri në fund të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. (r.m.)















