Familja rrëfen zhdukjen e Laçajt: E mori një mjet me xhama të zinj
I zhdukur që në muajin gusht është gjetur dje i vrarë me një plumb në kokë në një zonë të pyllëzuar pranë rrugës nacionale Koplik-Dedaj. Bëhet fjalë për Arben Laçajn, nga Bajza e Malësisë së Madhe, i cili vite më parë kishte qenë emigrant në Angli, por ishte kthyer për të ndërtuar jetën në fshatin e lindjes, ku u zhduk para shtatë muajsh dhe policia nuk kishte arritur të gjente asnjë gjurmë të tij. Madje, të gjithë kishin menduar se ai ishte nisur për të emigruar sërish, por kanë mbetur të shtangur, kur është gjetur i dekompozuar, me një plumb në kokë.
Kufoma e gjetur, me plumb në kokë
Burimet policore të Malësisë së Madhe bënë me dije se ka qenë një bari i zonës, i cili ka pikasur trupin e dekompozuar të emigrantit, në një zonë me pemë të vogla pranë rrugës nacionale. Sapo kanë vënë re kufomën, banorët kanë njoftuar shërbimet e policisë, të cilat kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, duke rrethuar zonën dhe nisur hetimet për këtë rast. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, pranë trupit të dekompozuar është gjetur një kartë identiteti dhe një leje drejtimi mjeti që i përkasin Arben Laçajt. Në këto kushte, policia ka lajmëruar familjarët e tij, të cilët janë pyetur për ndonjë shenjë të veçantë të viktimës, me qëllim identifikimin e plotë të tij. Nga ana tjetër, grupi hetimor ka thirrur në vendin e ngjarjes ekspertë të mjekësisë ligjore, por edhe të laboratorit të kriminalistikës, pasi janë ngritur dyshimet për një vrasje të mundshme të Laçajt, i cili kishte një vrimë në kafkë. Nga këqyrja, aty është gjetur një plumb, por pranë vendit të ngjarjes është gjetur edhe një gëzhojë, e cila mendohet se i përket një pistolete Zastava. Në këto kushte, policia ka ngritur dyshimet se kemi të bëjmë me një ekzekutim të pastër të Laçajt dhe e ka regjistruar rastin si vrasje me paramendim, duke marrë shkas edhe nga rrethanat e zhdukjes së tij.
Familja: U zhduk në hyrje të fshatit
Shtatë muaj më parë, familja e Laçajt, i cili ishte rreth 40 vjeç, ka deklaruar se ai ishte parë deri në hyrje të fshatit të tij, ku kishte lënë makinën, e kishte mbyllur me çelës dhe më pas ishte larguar me një makinë tjetër me xhama të zinj. Kjo është konfirmuar edhe dje nga të afërm të viktimës, të cilët kanë shpjeguar për Shqip rrethanat e zhdukjes. “Ka rreth 7 muaj që Arbeni ishte i zhdukur. Kemi bërë denoncimin në polici që kur është zhdukur dhe nuk dinim asgjë. Dimë vetëm momentin e fundit kur është parë që ka parkuar automjetin në hyrje të fshatit Bajzë dhe më pas është parë duke hipur në një automjet me xhama të zinj, por është një veturë që nuk është arritur të identifikohet, pasi nuk e ka vënë re njeri me aq detaje. Që atë ditë Arbeni nuk është parë më, madje kujtonim se mos ka ikur jashtë dhe prisnim ndonjë telefonatë. Arbeni jetonte në një shtëpi të thjeshtë dhe nuk ishte i martuar. Ka qenë disa vite në Angli, ku ka punuar si gjithë emigrantët. Nuk dimë se ka pasur ndonjë konflikt. Ishte njeri që nuk krijonte problem dhe kjo e bën akoma më enigmatike këtë ngjarje”, tregojnë familjarët e viktimës.
Hetim të shkuarës së emigrantit në Angli
Duke marrë parasysh se nuk ka pasur asnjë informacion për ndonjë konflikt të mundshëm të emigrantit, i cili u gjet i vrarë pranë rrugës nacionale, policia ka ngritur dyshimet se ekzekutimi i tij mund të jetë kryer për konflikte të hershme të tij, mbase gjatë qëndrimit në Britaninë e Madhe. Për këtë arsye, grupi hetimor po verifikon të shkuarën e tij me qëllim zbardhjen e këtij krimi të rëndë. Po ashtu, policia ka dyshime sesi kufoma ka qëndruar kaq shumë kohë pranë rrugës nacionale dhe nuk është vënë re nga askush, për më tepër që zona frekuentohet nga turistët, sidomos për piknik. Policia tha se veç plumbit, gëzhojës dhe dy dokumenteve, në vendin e ngjarjes janë gjetur copa të rrobave personale të viktimës, pikërisht xhinse blu, atlete dhe një bluzë ngjyrë gri. Të gjitha këto janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme, por krimi duket shumë i vështirë për t’u zbardhur pas kaq shumë kohësh. shqip
















