Mesfushori i Korfuzit në superligën greke, deklaron se Armenia duhet të fitojë çdo takim nëse kërkon kualifikimin
Kombëtarja Armene do të mbërrijë në Tiranë nesër me një fluturim çarter dhe seancat stërvitore që ka në program deri në ditën e ndeshjes do t’i zhvillojë pikërisht në Shqipëri. Ndërkohë nga vendgrumbullimi i përfaqësues armene foli për mediat mesfushori Gevorg Ghazarjan, i cili aktulisht është pjesë e skuadrës së Korfuzit në superligën greke, ndërsa më parë ka mbajtur veshur edhe fanellën e Olimpiakosit.
Sipas Ghazarjanit situata në të cilën ndodhet Armenia në Grupin i kualifikues nuk është e mirë dhe skuadra e drejtuar nga Chalandes në ndeshjet e mbetura do të zbresë në fushë vetëm për fitore. Edhe pse e pranoi se Shqipëria është një skuadër shumë e forte, mesfushori 26-vjeçar theksoi se në “Elbasan Arena”, armenët do të kërkojnë vetëm 3 pikët.
“Shqipëria është një kundërshtare e rrezikshme edhe për kombëtare më cilësore se ne, prandaj nuk do ta kemi aspak të thjeshtë përballë tyre. Megjithatë ne tre ndeshjet e para të grupit I kemi grumbulluar vetëm 1 pikë dhe nuk na lejohen më hapa falsë nëse duam të synojmë kualfikimin në kampionatin europian. Nuk kemi rrugë tjetër veçse të fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura”.















