Kështu është shprehur Bajram Gecaj, zv.ministër dhe këshilltar politik i kryeministrit Isa Mustafa, duke komentuar deklaratë e përfaqësuesve opozitarë se nuk do të heqin dorë nga kundërshtimi i demarkacionit.
Gecaj në një postim në facebook ka thënë se lidhur me demarkacionin nuk është mbetur vend për keqinterpretime.
Postimi i plotë i Gecajt:
DEKODUESIT ME MISIONI PËR TË TRILLUAR
Ajo çfarë kanë thënë përfaqësuesit e SHBA-ve dhe të shteteve mike evropiane, tash e sa kohë, rreth demarkacionit është e njohur dhe e qartë. Për këtë çështje nuk është lënë vend për keqinterpretime, keqkuptime, apo diçka të ngjashme. Për këtë ishin sa konstruktiv aq edhe të qartë edhe vizitorët e djeshëm, miq dhe përfaqësues të rëndësishëm të shteteve tona mike.
Atëherë prej nga paqartësia, prej nga dilema, prej nga interpretimet e çuditshme e të përçudnume? Shumë e thjeshtë. Prej atyre që nuk duan të kuptojnë, as edhe pas këtyre vizitave, sepse ju del në shesh pakuptimsia e kauzës së tyre. Prej atyre që nuk duan ta pranojnë të vërtetën sepse ju del në shesh e pavërteta e agjendës së tyre. Këta ‘dekodues’ të mesazheve, na tregojnë se çfarë po mendojnë amerikanët e evropianët dhe se cili na qenka plani i tyre, e të tjera të ngjashme. Thjeshtë të tillët shpërndajnë mjegull e tym, sepse ju duhet ta vjedhin të vërtetën.
Mos të lejojmë pra të bijmë nën kthetrat e tyre, pasi që ata vetë kanë hyrë thellë në “lloçin e gjallë” nga i cili mendojnë se nuk kanë rrugëdalje, e për këtë mundohen të na përpijnë edhe ne së bashku me ta – sepse kështu vetëm dëmtojmë interesin e popullit dhe shtetit të Kosovës.























