Një vrasje e dyfishtë në Vlorë, tritol biznesmenit me të kaluar kriminale në Shkodër, një atentat i tipit mafioz në mes të Tiranës e sëfundmi një krim pasioni.
Gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 thotë se krahasuar me një vit më parë krimet në vend janë shtuar.
Sipas tij, ajo që karaterizon këto lloj krimesh, anashkalo atë të ndodhurin një ditë më parë, është vështirësia e zbardhjes së tyre.
Sa për ngjarjen e një ditë më parë, kur student i Infermierisë 23-vjeçari, vrau me 5 plumba vajzën që donte Ariela Muratin 21 vjeç, me të cilën ishin njohur në gjimnaz, pasi ishin nga e njëjta zonë, gazetari thotë se krimet e pasionit janë të vështira të parandalohen.
“Ndodhin edhe në vende shumë më të zhvilluara se ne. Jemi larg krijimit të asaj police që ndjek elementë të tillë që përbëjnë rrezik për shoqërinë. U vra edhe gjyqtarja Fildez Hafizi pak kohë më parë, edhe pse ishte paralajmëruar se ai person përbënte rrezik për të, asgjë nuk u parandalua.
Në rastin konkret nuk është kulturë të raportohen ngacmime të tilla se perceptohen si një lloj turpi. Në këto raste preferojnë që gjërat t’i zgjidhin në rrugë, me ndonjë të afërm që e paralajmëron: Mos iu afro më. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një ngjarje të parikuperueshme.
Uroj që ngjarja të mos shkojë në konflikt tjetër dhe që hetimet të jenë të plota”,- tha ai tej.
Në rastin konkret, Hoxha tha se nuk ka mbetur shumë për të zbardhur veç faktit se ku e gjeti armën i riu.
“E vetmja gjë e pazbardhur deri më tani është fakti se ku e ka gjetur armën i riu? Kjo dëshmon që në këtë vend mjafton të kesh qëllim për të bërë diçka të paligjshme, por pastaj logjistikën e nevojshme e gjen”,- sqaroi Hoxha.





















