Por pavarësisht këtij vendimi duket se kreu i ekzekutivit nuk ka gjtur mbështetje nga zyrtarët e tij të cilët vazhdimisht janë shprehur kundër versionit aktual të marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj i cili është edhe inicues i një propozimi të ri drejtuar Mustafës, që ka të bëjë me marrëveshjen ndërmjet kufirit me Malin e Zi dhe Kosovën, një mënyrë kjo për të dalë nga kriza, thotë se vetëm nëse merret parasysh nisma e tij atëherë do ta votojë Demarkacionin. Përndryshe qëndrimi tij vazhdon të mbetet kundër marrëveshjes aktuale.
Salihaj tha të shtunën për Express se me propozimin e tij në të njëjtën kohë do të bëhej zgjidhje si për demarkacion ashtu edhe për viza.
“Ne do të bëjmë përpjekje që të gjejmë përkrahje për propozimin tonë të 17 deputetëve të LDK’së i cili edhe e zgjidh çështjen e Demarkacionit dhe atë të vizave dhe njëkohësisht nuk humbim territor” u shpreh ai.
Salihaj tha se nëse iniciativa e tyre nuk merret parasysh qëndrimi i tij për Demarkacionin mbetet i njëjtë por bëri të ditur se edhe ata do ta procedojnë në Kuvend propozimin e tyre.
Ndërkohë, Anton Quni, njëri prej deputetëve të LDK’së që asnjëherë s’e ka marrë guximin t’iu tregojë votuesve të tij se a do të votojë pro apo kundër demarkacionit, por ka vazhduar të thotë të njëjtën gjë. Ka thënë se tek të hënën do ta tregojë qëndrimin nëse i njëjti problem del për votim në Parlament.
“Të hënën kuptohen të gjitha”, ka thënë Quni.
Ky zyrtar i LDK’së s’ka sqaruar nëse s’ka guxim të tregojë qëndrimin për demarkacion apo se frikësohet të deklarohet për problemin kryesor që e ka ndjekur Qeverinë e Kosovës prej dy vitesh.
Kurse qëndrim ndryshe nuk ka as deputeti më i zëshëm i LDK’së i cili vazhdimisht është shprehur kundër demarkacionit, Shpejtim Bulliqi.
Ai thotë se është dashur që moti të sillet në Kuvend marrëveshja e Demarkacioni dhe që në këtë mënyrë edhe ta rrëzojnë atë.
“Mendimi im personal është se demarkacioni do të duhej kaherë të sillet në kuvend dhe bashkërisht pa dallime partiake ta rrëzojmë, ndërsa që mocionin e shoh të panevojshëm sidomos në këtë fazë të zhvillimit të këtij procesi”, ka thënë Bulliqi.
Ndërkaq, nëse nuk ka marrëveshje për Demarkacionin, qëndrim kundër do të ketë edhe Fatmir Rexhepi i LDK’së.
Ai ka thënë se deputetët duhet të provojnë dhe ta gjejnë një konsensus për këtë çështje.
Kurse Arben Gashi e Vjosa Osmani, të dytë nga radhët e LDK’së, nuk janë deklaruar ende nëse të njëjtët kanë ndryshuar qëndrim rreth kësaj çështjeje.





















