Maqedonia ka gjasa reale që të humbas rekomandimin për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kështu ka deklaruar ambasadori britanik Çarls Garet. Në një deklaratë për Evropën e Lirë, diplomati britanik ka thënë se shumë shtete vlerësojnë se Maqedonia nuk i përmbush kriteret e Kopenhagës gjë që nuk e përjashton mundësinë e marrjen së vlerësimeve negative.
“Raporti është rezultat i mendimit të 28 vendeve anëtare, dhe të gjitha ato kanë qëndrime të ndryshme për progresin e Maqedonisë. Disa prej tyre besojnë se Maqedonia është nën kriteret e Kopenhagës, kurse vendet tjera mendojnë se Maqedonia i plotëson këto kritere. Përderisa ekziston një debat i këtillë në Bashkimin Evropian, ka rrezik që Maqedonia të mos e marr rekomandimin. Britania konsideron se Maqedonia është mbi kriteret e Kopenhagës, mirëpo ka disa fusha në të cilat duhet të punojë seriozisht”, deklaroi Çarls Garet-Ambasador i Mbretërisë ës Bashkuar në Republikën e Maqedonisë
“Një sistem gjyqësor që punon me efikasitet është baza e vendit, bazë e shoqërisë korrekte dhe demokratike, dhe për vendin e rëndësishme është të ketë marrëdhënie më të mira ndëretnike. E dyta janë mediat, sepse pa media të fuqishme demokracia nuk mund të funksionoj, këto janë pikat kyçe të një shoqërie korrekte. E treta, marrëdhënie ndëretnike. Njëra nga çështjet që unë i hetova, që nga ardhja ime, është se kjo sferë është shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit”
Sa i përket dialogut politik, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar thotë se është shumë e rëndësishme që VMRO- DPMNE dhe LSDM sa më shpejt të ballafaqohen me situatën. “Mendoj se edhe për vendin është e dëmshme mosprania e opozitës në Kuvend, sepse në një demokraci të re institucionet vazhdimisht duhet të përforcohen. Sa i përket kontestit të emrit me Greqinë, Garet ka pritje të mëdha por për një periudhë më të gjatë dhe sipas tij, tek të dyja palët ka gatishmëri për ta zgjidhur këtë çështje.















