Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, 46-vjeçari Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, është ndaluar fillimisht më 6 mars të këtij viti, në Schipol, pranë Aeroportit të Amsterdamit.
Ndalimi i tij është bërë pasi nga një kontroll rutinë i policisë holandeze, i është kërkuar verifikimi i dokumentacionit dhe ka pasur dyshime për vlefshmërinë.
Arben Frroku mësohet t’u ketë paraqitur policëve lokalë një pasaportë dhe patentë greke, me identitetin Renato Tsepa, i lindur në Korçë, më datë 15 nëntor të vitit 1967.
Ajo që ka ngjallur dyshime për autoritetet holandeze ka qenë afati i vlefshmërisë së pasaportës, që ishte 5-vjeçar. Në pasaportë shkruhej se dokumenti ishte lëshuar në vitin 2013 dhe skadonte në vitin 2018, raporton Panorama.
Për këtë arsye Frroku u ndalua, me dyshimet se dokumentet ishin të falsifikuara, dyshim që u konfirmua 3 ditë më vonë, më 9 mars.
Sipas autoriteteve greke, ku Holanda kishte kërkuar informacion, personi me emrin Renato Tsepa nuk ekzistonte dhe pasaporta e patenta nuk ishin lëshuar asnjëherë nga Greqia.















