Edhe pse kanë kaluar rreth 9 ditë nga ngjarjet në stadiumin “Partizani” i Beogradit, Serbia nuk ka nisur asnjë hetim mbi dhunën që u ushtrua ndaj futbollistëve shqiptarë në stadium, duke mos ndjekur penalisht asnjë person, ndërkohë që krejt e kundërta ndodh me personin, i cili ofendoi kryeministrin serb, Aleksander Vuçiç, gjatë një emisioni direkt nga stadiumi i Beogradit në momentin që ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë ishte ndërprerë.
Prokuroria e Beogradit, ka lëshuar një urdhër ndalimi ndaj Igor Mikic, një tifozi të Partizanit të Beogradit, i cili do të hetohet nga ana e saj me akuzën e sjelljes së dhunshme gjatë një eventi sportiv.
Për Mikiç, Prokuroria do të kërkojë një dënim deri në 5 vjet heqje lirie, dhe gjithashtu moslejimin e tij në stadium për një periudhë të caktuar kohore.
Sipas asaj që bëhet e ditur, Mikiç kishte një biletë për në zonën VIP të stadiumit të Beogradit për ndeshjes Serbi-Shqipëri, dhe gjatë ndërprerjes së saj, arriti të hynte në zonën që i përket televizionit RTS, duke ofenduar në transmetim direkt kryeministrin, Aleksander Vuçiç.
I ati i Igor Mikiç, ka qenë dikur një zyrtar i Federatës së Futbollit Jugosllav dhe gjithashtu ish-trajner futbolli.















