Mëngjesi i së premtes ka gdhirë në veri të Mitrovicës qetë. Serbët nuk janë mbledhur në mëngjes tek muri, ndonëse kishin premtuar se do ta ruajnë atë “për të mos e rrënuar shqiptarët”. Tek muri i Mitrovicës, të premten, janë parë forca të shtuara të KFOR-it, gjithashtu edhe forca të shtuara të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it. Disa grupe të serbëve janë parë më larg murit dhe ata vëzhgonin nëse do të fillojë të rrënohet muri, por pas pak ata kanë hyrë nëpër lokale dhe nuk janë parë andej nga ura.
Ndërkaq, serbët e grumbulluar tek ura të enjten rreth orës 16:00 janë shpërndarë të qetë rreth orës 19:30 të së njëjtës ditë. Në ndërkohë përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës në institucionet kosovare, liderë të listës “Srpska” dhe kryetarët të komunave me shumicë serbe kanë shkuar në Rashkë për t’u takuar me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Me Vuçiqin në Rashkë ndodheshin ministri i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, ministri i Policisë së Serbisë, Nebojsha Stojanoviq, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Serbisë, Lubisha Dikoviq.























