Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) i janë shtuar edhe 61 pjesëtarë të rinj nga radhët e komuniteteve. Të rinj nga komuniteti serb dhe malazez, banorë të Kosovës, kanë diplomuar pas kryerjes së kursit bazik, “Gjenerata e parë 2017”, në FSK, shkruan sot.
Përfshirja e pakicave në FSK është vlerësuar të premten si plotësimi i kapaciteteve njerëzore të strukturës së FSK-së, por dhe përmbushje e numrit të pjesëtarëve të FSK-së nga radhët e komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se FSK-ja është institucion që është shembulli më i mirë i një institucioni demokratik, shumetnik dhe profesional, që përfaqëson më së miri vlerat e shtetit të Kosovës.
Thaçi, që njëherësh është edhe komandant suprem i FSK-së, ka përgëzuar rekrutët e rinj të FSK-së nga radhët e komuniteteve joshumicë për zgjedhjen që ata kanë bërë për t’i shërbyer vendit si ushtarë në FSK.
Thaçi ka folur për të ardhmen e FSK-së, duke vlerësuar se transformimi i saj po shkon në përputhje me rekomandimet e Rishikimit të Sektorit të Sigurisë dhe në koordinim të plotë me partnerët strategjikë, që, siç është shprehur presidenti, po punojnë për ta përfunduar transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.























