Ideja “kreative” e një shqiptari me banim në Gjermani për të fshehur në qesen e fshesës elektrike drogën e kontrabanduar nga Holanda është zbuluar nga policët gjermanë.
Pasditen e të hënës, më 22 gusht, Policia federale ka kapur në autostradën A3, në ndalesën Kattenhorst, një shtetas shqiptar të moshës 32-vjeçare. Me një makinë të tipit “Mazda”, ai po udhëtonte nga Amsterdami në Paderborn, thuhet në komunikatën e policisë gjermane.
Sipas dëshmisë që ka dhënë gjatë marrjes në pyetje, shqiptari kishte qëndruar në Holandë tri ditë. Atje kishte qenë “për të shëtitur dhe për të vizituar një kushëri”.
Por ajo që binte në sy, thuhet më tej në komunikatë, në makinën e shqiptarit nuk kishte fare bagazh.
Vetëm pas kontrollimit të makinës, policët gjetën në mbulesën e sediljes së pasme një paketim të qeses së fshesës elektrike, në të cilën ishte fshehur një sasi prej 1.12 kilogram kokainë.
Vlera në treg e kokainës së gjetur është rreth 77 mijë euro, thotë policia.






















