Policia e Shtetit me një urdhër të posaçëm që ka marrë nga drejtoria e përgjithshme me orientim nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryeministri Edi Rama është duke kryer një operacion të gjerë kontrolli në të gjithë vendin. Zyrtarisht Policia e Shtetit thotë se ky operacion po zhvillohet “Për kontrollin e territorit në funksion të parandalimit të ngjarjeve kriminale”. Burime jozyrtare i thanë agjencisë noa.al se ky aksion përfshin kontroll të imtësishëm në objekte të ndryshme dhe akse rrugore, për armë zjarri dhe të ftohta, eksplozivë, persona me precedentë penalë, persona në kërkim, persona të evidentuar nga policia si elementë kontingjent, persona të dyshuar për prirje ekstremiste, etj. Në fotot shikoni pamje nga orët e fundit të këtij aksioni.
Ky aksion vjen pak ditë pas ngjarjeve të rënda në Francë ku disa persona mbetën të vdekur në një seri aktesh terroriste. Aksioni po përqendrohet më së shumti në qytetet kryesore dhe sidomos në Tiranë. Thuajse çdo makinë ndalet në rrugë në orë të ndryshme të ditës dhe natës duke krijuar kështu një klimë frike për persona që mbajnë armë pa leje. Kjo përpjekje e policisë për të dekurajuar lëvizjet me armë të njerëzve, është fokusuar orët e fundit me kontrolle të shumta në akset rrugore, në lokalet e natës dhe në banesa.
Në këtë kuadër gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë dhe ndaluar 27 persona, nga të cilët: 3 persona për “Armëmbajtje pa leje” (armë zjarri), 2 për “Armë të ftohta”(thikë) , 13 për “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, 2 për “Vjedhje”, 1 për “Tentativë vrasje”. Si dhe janë kapur e ndaluar 6 persona në kërkim për “Trafik të lëndëve narkotike”, për “Vjedhje” dhe për “Mashtrim” . Janë kontrolluar gjithsej 181 ambiente kryesisht bare,lokale nate dhe te lojërave te fatit. Është ushtruar kontroll në 2128 automjet, ku janë bllokuar për mungesë dokumentacioni 27 automjete. Si dhe janë pezulluar 25 leje drejtimi automjetesh per shkelje rrugore si dhe janë marrë dhe masa administrative me gjobë. Gjithashtu janë kontrolluar 1784 persona për kontrollin e identitetit dhe janë shoqëruar në ambientet e Komisariateve të Policisë 76 shtetas për mungese te dokumentit te identifikimit. Janë sekuestruar 3 arka me predha antitank, 1 granat hedhës, fishekë, 2 thika, 1 bajonetë, 1 armë gjahu dhe 1 armë zjarri. Në këtë operacion përveç forcave të policive vendore kanë marrë pjesë dhe 31 grupe të Reparteve te FNSH-së dhe Delta Forcë.
Policia e Shtetit thotë se ky operacion do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Shumë njerëz mendojnë se të tilla aksione janë të vlefshme për të parandaluar ngjarje kriminale. Është e provuar nga lajmet e kronikës së zezë, se mbajtja e armëve të zjarrit ose të ftohta, ka shkaktuar krime të rënda të vrasjes dhe plagosjes. Përmes këtyre kontrolleve, synohet që të frenohet mbajtja e këtyre armëve nga qytetarët, të cilëet shpesh lëvizin me makina apo më këmbë, të armatosur.
















