Flamurin shqiptar e gjen tek çdo shitës ambulant. Por teknologjia për prodhimin e tij, nuk e ka sfiduar ende traditën për ta qëndisur flamurin me dorë. Madje edhe në burg. 15 vjet më parë, dy të dënuara krijuan një format të ri të qëndisjes së flamurit me rruaza, duke lënë trashëgimi një model tek të burgosurat e reja.
“Ky flamur i qëndisur me rruaza ngeli si model këtu dhe gratë e përcjellin tek njëra-tjetra. Në fillim bëri shumë bujë, ishte i shtrenjtë, por pastaj filloi dhe binte”, shprehet një gardiane.
Të dënuarat ia mësojnë çdo të sapoardhure në burg sekretin për të qëndisur flamurin. I tillë është edhe rasti i Albanës.
“Kam 50 flamuj për të shitur. Mi mësoi shoqja e dhomës me rruaza, ja kështu, një kokërr nga një kokërr bëhen”, tregon Albana. Muaxhiri, e dënuar.
Prej katër vitesh në burg, Dorina Cara ka qëndisur dhjetëra flamuj. Por këtë vit punimet e saj kanë mbetur stok.
“Nuk i blejnë më si në fillim”, thotë Dorina.
“I kam dhuratë për vëllain”, thotë Esmeralda.
Por e vetmja mënyrë për t’i shitur flamurin e qëndisur në qeli janë panairet që organizojnë burgjet.






















