Muhamet Hamiti
Gazeta prestigjioze londineze “Financial Times” (FT) ka botuar në numrin e vet të fundjavës një rrëfim në vetën e parë nga Gjin Marku i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar në Shqipëri, me titull: “Ndihmoj për pajtimin e gjaqeve në Shqipëri”.
Marku flet për fenomenin e moçëm, qindravjeçar, simbas të cilit një anëtar i familjes të cilit i është vrarë dikush ka të drejtë të hakmerret, duke vrarë dikë nga familja e vrasësit, por jo gra dhe fëmijë. Ndonëse janë të paligjshme, ka pasur rreth 12 mijë gjaqe në Shqipëri në 25 vitet e fundit, thekson ai në rrëfimin siç ia ka kallëzuar Nadia Shire Cohen-it, që e ka botuat te FT. Këto raste kanë përfunduar shpesh me situata kur djem adoleshentë kanë marrë përgjegjësinë për vrasjet, në mungesë të baballarëve e xhaxhallarëve të vet. “Këta adoleshentë ngujohen në shtëpi nga frika e hakmarrjes – nuk mund të shkojnë në shkollë dhe shumë syresh luftojnë me depresionin”, thotë Gjin Marku.
Marku e konsideron veten misionar dhe jo ndërmjetës për pajtimin e gjaqeve. “Unë nuk i gjykoj familjet as nuk përpiqem t’i bind të falin, por fokusohem në pasojat e marrjes hak, siç është përfundimi në burg”, thotë ai. Rasti më i gjatë i pajtimit që ka ndërmarrë ai ka filluar në vitin 1990, dhe nuk është zgjidhur ende.
Në fund të rrëfimit në veten e parë, Gjin Marku thotë: “ Nganjëherë, kur djem adoleshentë ngujohen në shtëpi për shkak të gjakmarrjes, ne ndihmojmë t’u sigurojmë azil jashtë vendit. Poashtu i mësoj fëmijët në shkollë për Kanunin, sepse është shtrembëruar dhe manipuluar ç’prej rënies së komunizmit. Shumë njerëz e përdorin Kanunin për të justifikuar dhunën, ndonëse nuk kanë haber për ligjet. Tash ka raste familjesh që kryejnë hakmarrje mbi gra të reja, që libri e ndalon rreptësisht. Kanuni nuk është shkruar kurrë: të moçmit e kanë përcjellë tek të rinjtë gojarisht. Planifikoj të bëj bashkë historianë dhe dijetarë me njerëz brezi të moçëm për ta shkruar një version të këtij Kanuni. Do të zgjasë tri vjet pune intensive, por është e domosdoshme për edukim të brezave të rinj”.















