Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka thënë se filmi “Shok”, dëshmon se asnjë ëndërr nuk është tepër e madhe. Kurse ambasadori i Kosovës në Londër, Lirim Greicevci ka uruar ekipin e filmit “Shok”, që trofeun e Oscar ta sjellin në shtëpi
Mbrëmë në shenjë të tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u prezantua në Londër dhe New York, filmi artistik i metrazhit të shkurtë “Shok”, që tashmë është i nominuar për çmimin Oskar, në kategorinë e filmit të shkurtë. 400 të pranishëm ishin në sallën, Museum of Modern Art në New York, mes tyre shumë ambasadorë e gazetarë të huaj, të cilët u shtangen nga fuqia e filmit SHOK, transmeton KultPlus.

Në Londër u prezantua brenda Ambasadës së Kosovës në Londër, ku për këtë prezantim të filmit ka njoftuar ambasadori i Kosovës atje, Lirim Greiçevci, përmes një statusi në facebook, ku ai u shpreh shumë i emocionuar që festën e Pavarësisë e festuan edhe me shfaqjen e filmit “Shok”, duke uruar edhe fitoren e çmimit Oskar. “Sille në shtëpi Oscar-in”, ka shkrua ai.
Kurse në New York filmi u prezantua në MoMA – Museum of Modern Art në Nju Jork, ku edhe për këtë prezantim ka njoftuar ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, për të cilën mbrëmja e 17 shkurtit kësaj radhe ishte edhe më e veçantë pasi që u shfaq edhe filmi Shok, ajo ndihet shumë krenare me këtë prezantim dhe u shpreh shumë e lumtur me pritjen që iu bë filmit. Vlora përmes postimit të saj në facebook u shpreh për të mirat që filmi Shok po sjellë dhe për shpresën e madhe që çmimi Oskar të vijë në Kosovë.

“Mbremje e jashtezakonshme mbreme në NYC. 8 vjetorin e pavarsise se Kosoves e shenuam me shfaqjen e filmit #SHOK në #MoMA. Pak ka rendesi cka ndodhe me 28 Shkurt në LA. #SHOK tashme ka kryer misionin. Na ka bere te ndjehemi krenare si asnjehere me pare. Na e ka rikujtuar edhe nje here cmimin e larte qe e kemi paguar per lirine tone. Na ka ringjallur shpresen se ka gjera te bukura dhe te fuqishme qe mund te behen edhe në nje vend te vogel e me shume probleme si Kosova. Dhe na e ka deshmuar te gjitheve qe asnje enderr nuk eshte teper e madhe, nese perkushtohemi dhe punojme me zemer e pa hile”, ka shkruar ajo.
“Shok” do të konkurrojë me datën 28 shkurt krahas filmave të tjerë për triumf në kategorinë Short Film Live Action./KultPlus.com
















