Kori i Filarmonisë së Kosovës tashmë është përgatitur për “Mbrëmësoren e Virgjëreshës së Bekuar”, në të cilën do të interpretojë një prej veprave më të mëdha të kompozitorit italian, Claudio Monteverdi, për herë të parë në Kosovë, të premten mbrëma.
Kjo vepër ndryshe njihet edhe me titullin “Vespers of 1610”, që nënkupton lutjet e mbrëmjes, bazohet në disa tekste biblike të cilat tradicionalisht janë përdorur si pjesë e meshave për disa festime në kishën romake. Këtë emër e ka marrë nga një pjesë e lutjeve të kishës katolike. Njihet si vepra më ambicioze e veprave krishtere, para Bachut. Kjo pjesë 90-minutash përfshin solistët, korin dhe orkestrën, shkruan Koha.
Në këtë koncert do të jetë edhe Orkestra Kamertale, ndërsa dirigjent është Rafet Rudi. Kjo ngjarje, e cila do të zërë vend në katedralen “Nëna Terezë”, dhe do të bëjë bashkë një numër të madh solistësh si Kaltrina Miftari, Liridon Sadriu, Besa Llugiqi, Safet Berisha, Adelina Paloja e Luan Durmishi.
Ndryshe, Monteverdi shumë shpesh është cilësuar si revolucionar, i cili ka bërë një transicion nga stili i muzikës së Renesancës në barok. Ai ka zhvilluar dy stile të kompozimit. Monteverdi ka shkruar një prej operave të para që titullohet “L’Orfeo”, një vepër inovative, e cila është opera më e re që ka mbijetuar e cila akoma rregullisht luhet.
Sipas Rudit, për këtë fakt ky koncert ka një peshë të madhe, pasi realizimi i veprës është stilistikisht i vështirë.
“Është një lloj i muzikës që tek ne nuk është ekzekutuar deri më tani. Tek ne në repertorin e Korit dominojnë veprat e klasicizmit, romantizmit dhe pjesërisht vepra të reja, por jo vepra të mirëfillta barokiene sidomos jo veprat madhore e voluminoze”, ka thënë Rudi, tek ka treguar për formacionin e muzikantëve që do të marrin pjesë në këtë koncert.
“Formacioni orkestral që do të jetë në skenë është i përbërë, praktikisht nga solistët e orkestrës. Përgjithësisht aparati interpretues është i zgjedhur. Pikërisht për këto elemente mendoj se është një koncert i veçantë”, ka shtuar ai.


















