Leo Messi thyen heshtjen dhe në një intervistë ekskluzive për “Mundo Deportivo” përpiqet ti japë fund dyshimeve në lidhje më të ardhmen e tij: “E adhuroj këtë skuadër dhe vendin ku jetoj. Kjo është shtëpia ime. Më pëlqen rutina ime, si në aspektin profesional ashtu dhe në jetesë”.
Në intervistën e tij për të përditshmen spanjolle, sulmuesi argjentinas ka dhënë dhe versionin e tij pas akuzave të lëshuara nga “Cadena Ser”, sipas së cilës, drejtuesit e klubit kanë paguar miliona për të dëmtuar imazhin e disa futbollistëve.
“Mbeta pak i habitur. Isha në udhëtim, kur erdha mësova çfarë kishte ndodhur. Presidenti na tha të njëjtat gjëra që ka deklaruar në media. Mendoj se është e çuditshme të ketë ndodhur diçka e tillë, nuk ka logjikë. Presidenti na ka thënë se ka prova, të shohim tani se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të them shumë gjëra, por më duket e çuditshme” – tha Lionel Messi.
Në fund Messi e mbyll ashtu siç dhe e hapi këtë intervistë, duke shprehur dashurinë e tij për Barcelonën: “Puna ime më lejon të qëndroj gjatë me fëmijët, më lejon të darkoj me bashkëshorten Antonela dhe të marr fëmijët. Kemi një jetë shumë normale, e cila më pëlqen shumë”.



















