Kush shlyen të gjithë borxhin që ka ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të përfitojë ulje të kamatëvonesës në masën 80 për qind. Pas vendimit të OSHEE-së, kryeministri Edi Rama sqaroi mekanizmin që do t’u mundësojë konsumatorëve familjarë të shlyejnë detyrimet dhe borxhet që kanë ndaj OSHEE-së për energjinë e konsumuar. Rama theksoi se për të gjithë këta konsumatorë ka një mundësi të re dhe të papërsëritshme deri në 28 shkurt duke paguar borxhin e plotë, por duke përfituar 80 për qind të shumës së kamatëvonesave. Në vijim ai shtoi se një tjetër mënyrë që do të aplikohet për shlyerjen e borxheve është shtrirja në kohë e pagesave, por në këtë rast nuk do të ketë falje të kamatëvonesave. Sipas Ramës, në këtë rast konsumatorët familjarë do të mund të paguajnë jo më pak se 25 mijë lekë në muaj, por kamatëvonesa është e plotë, deri në shlyerjen e plotë të borxhit. Për sa i takon shtresave sociale, të cilat përfshijnë familjet në skemën e ndihmës ekonomike, pensionistët apo para dhe tetraplegjikët, Kryeministri theksoi se kjo kategori do të paguajë jo më pak se 1 mijë lekë në muaj.
Mekanizmi i ri i pagesës
“Hyri sot në fuqi një mekanizmi nxitës për kryerjen e pagesave që skadon në datën 28 shkurt. Çdo konsumator familjar, e përsëris familjar, që ka borxhe të mbartura ndaj kompanisë dhe po ashtu kamatëvonesa që rriten muaj pas muaji, ka një mundësi të re dhe të papërsëritshme, deri në 28 shkurt: Të paguajë borxhin të plotë dhe të përfitojë uljen e shumës së kamatëvonesave në masën 80për qind. Pra, kush paguan borxhin e plotë, fiton mbrapsht 80për qind të kamatëvonesës. Kjo mundësi skadon në 28 shkurt, dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë se nuk bëhet fjalë për falje, po për një përfitim të dyanshëm përmes pagesës së plotë të borxhit. Kompania përfiton nga marrja mbrapsht menjëherë e borxhit me vetëm 20për qind kamatëvonesë, ndërsa konsumatori përfiton 80për qind të kamatëvonesës nga shlyerja e menjëhershme e borxhit”, – sqaroi dje kryeministri mekanizmin e ri favorizues për konsumatorët familjarë.
Mundësia tjetër që u krijohet konsumatorëve që kanë borxhe ndaj kompanisë, sqaroi Rama, është të lidhin menjëherë kontratën dhe përveç pagesës mujore, kur nuk duan ta shlyejnë borxhin menjëherë, të shlyejnë çdo muaj jo më pak se 2500 lekë të reja nga borxhi i tyre. “Ky borxh shtrihet në kohë dhe ka brenda të plotë edhe kamatëvonesën e bartur. Kamatëvonesa nuk rritet për sa kohë konsumatori e paguan këstin mujor të borxhit. Është e qartë që mospagesa e këstit qoftë edhe një herë, sjell ndërprerjen e menjëhershme të energjisë elektrike dhe rifillimin e llogaritjes së kamatëvonesës”, – deklaroi ai. Ndërkohë që rritet favorizimi për shtresat në nevojë. “Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar si edhe pensionistët kryefamiljarë, – pra gjithë pjesa e mbrojtur deri sot nga fasha 300 kë dhe që do të përfitojë para direkt nga buxheti i shtetit qysh në janar pas heqjes së fashës, – vlera e këstit mujor për shlyerjen e borxhit, do të jetë jo më e vogël se 1 mijë lekë të reja në muaj. Por, nuk do të ketë në asnjë rast lidhje të energjisë elektrike pa hyrë në sistemin e pagesave të rregullta korrente dhe pa e paguar këstin përkatës për askënd”, – sqaroi kreu i ekzekutivit.
Përgjigjja për opozitën
Sa i përket akuzave të opozitës, Rama deklaroi se PD-ja sot derdh lot krokodili ndërsa për 8 vjet e vuri popullin në gjumë me përralla. “Edhe diçka atyre që e groposën sistemin elektroenergjetik, në këtë varr të madh prej 1.1 miliardë dollarë borxhesh dhe sot shfaqen çdo ditë buzë një grope të hapur po nga vetë ata, për të nxitur pakënaqësi mes njerëzve. Madje derdhin edhe lot krokodili, tamam vrit natën e qaj ditën. E vunë në gjumë me përralla këtë popull tetë vjet rresht e i hapen këtë gropë të madhe borxhesh ku për pak ra brenda e gjithë Shqipëria me gjithë ekonominë e saj, dhe tani që po del dita e po ngrihet ditë pas dite shteti që shqiptarët kanë kërkuar për kaq vite dhe nuk e kanë pasur, i qajnë edhe hallin! E drejta e tyre të bëjnë ç’të duan me lirinë që kanë. Detyra jonë është të bëjmë shtetin që duan shqiptarët”, – deklaroi ai. Kryeministria garantoi se operacioni i nisur më herët do të vijojë.
Largohet Seferi, detyrën e merr Çela
Ndërrohet kreu i OSHEE-së. Dje ka qenë dita e parë e prezantimit për Ardian Çelën. Paraardhësi i tij, Arben Seferi, deklaroi se dha dorëheqjen për arsye personale. Arben Seferi dha dorëheqjen nga drejtimi i OSHEE-së, pas 1 viti në krye të këtij institucioni. Ditën e djeshme, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri prezantoi kreun e ri, Adrian Çela, i cili më parë mbante postin e Drejtorit të Inspektoratit Qendror Teknik (IQT). Ministri bëri me dije se Seferi dha dorëheqjen për arsye personale. Në momentet e largimit, Arben Seferi, ka bërë një përmbledhje të punës së bërë në krye të OSHEE-së. “Punuam fuqishëm për të rritur arkëtimet. E gjetëm situatën energjetike në krizë. Kemi krijuar staf profesional, arritën të arkëtojmë 5.3 miliardë lekë më shumë”, – deklaroi Seferi. Më tej, ishkreu i OSHEE-së u shpreh se janë ulur humbjet në rrjet nga 47 për qind në 38.8 për qind. Ministri Gjiknuri, ndër të tjera shtoi edhe se rezultatet e punës së Seferit flasin vetë, duke i lënë stafetën Ardian Çelës. Ashtu siç ndodh gjithmonë, u kërkua që puna në vazhdimësi të jetë edhe më e mirë. Për më tepër kjo kërkesë vjen në një kohë kur sistemi i energjetikës në vend, është i detyruar t’i nënshtrohet një sërë reformash dhe ku nga dita në ditë i gjithë konsumatori i energjisë do të prezantohen me çmimin e ri.
Vendimet e marra nga Këshilli Mbikëqyrës
1. Të gjithë konsumatorëve familjarë, të cilët rezultojnë debitorë për detyrimet e energjisë (principal dhe kamatëvonesë), u krijohet mundësia e ekzekutimit me këste të këtij detyrimi.
2. Nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për pagesën me këste të detyrimeve, Shoqëria nuk do të llogarisë më kamatëvonesa për periudhën kohore që parashikohet në marrëveshje për ekzekutimin e plotë të detyrimit.
3. Shoqëria do të marrë masa që të përcaktojë si kusht në marrëveshje detyrimin e konsumatorëve familjarë, që brenda afateve kontraktore të shlyejnë faturën korrente të energjisë dhe një vlerë përkatëse që i korrespondon një pjese të detyrimit të prapambetur. Vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria, por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 2,500 lekë në muaj.
4. Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike, vlera e këstit mujor për ekzekutimin e detyrimit të prapambetur, negociohet rast pas rasti nga shoqëria por në çdo rast, nuk mund të jetë më e vogël se 1,000 lekë në muaj.
5. Për konsumatorët familjarë, që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike, të cilët bien dakord të shlyejnë menjëherë të gjithë detyrimin e prapambetur (principal +kamatëvonesë), Shoqëria OSHEE sh.a do të aplikojë një zbritje të vlerës së detyrimit të kamatë vonesave në nivelin prej 80 për qind. Ky kriter do të aplikohet edhe në rastet kur detyrimi i prapambetur përfaqësohet vetëm nga kamatëvonesa. Kjo mundësi pagese do të jetë e vlefshme deri në datën 1 mars 2015.
6. Kushtet e mësipërme nuk do të aplikohen nëse konsumatorët familjarë, nuk respektojnë detyrimet sipas marrëveshjes së nënshkruar me Shoqërinë OSHEE sh.a. Në këtë rast, ndaj këtyre konsumatorëve do të aplikohen detyrimet e parashikuara në kontratën e furnizimit, përfshirë edhe përllogaritjen e kamatë vonesës.
Ulja e kamatëvonesave, Basha: Qeveria frikë nga protestat
kryeministrit Edi Rama se do të ketë ulje prej 80 për qind të kamatëvonesave për ata që paguajnë energjinë brenda 28 shkurtit. Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar duke theksuar se shqiptarët nuk kanë me çfarë ta paguajnë. “Mijëra familje janë në kufijtë e mbijetesës. Pjesa me e madhe nuk kanë me çfarë të paguajnë. Me çfarë të paguajë, ku s’ke hapur asnjë vend pune, por sipas INSTAT-it janë 2000 vende të mbyllura”- u shpreh Basha. Ndërsa më herët kreu i selisë deklaroi se vendimi i OSHEE-së është pasojë e protestës opozitare të 22 nëntorit. “Tërheqja që bëri sot Edi Rama nga kursi i tij i marrë është një lëvizje e detyruar nga bashkimi i zërit të qytetarëve në protestën e madhe popullore të 22 nëntorit. Nuk është një zgjedhje e tij, të jemi të qartë. Zgjedhja që bëri Edi Rama, ishte e kundërta, ishte kundër zërit të qytetarëve, kundër kërkesave të përsëritura të tyre dhe të opozitës”, – deklaroi Basha. Ai kujtoi më tej se opozita, Partia Demokratike kërkuan në mënyrë të përsëritur, që qeveria të aplikonte një sistem ku t’u jepte mundësi qytetarëve të shlyenin detyrimet e tyre me këste të përballueshme por kjo u refuzua.
“Kërkuam shansin që detyrimet e ligjshme të paguheshin me këste të përballueshme dhe të arsyeshme. Por Edi Rama insistoi në kursin e tij të marrë, duke u shtrënguar qytetarëve të vendit lakun në fyt. Kërkoi t’u marrë edhe kacidhen e fundit, por kur u mori dhe kacidhen e fundit dhe qytetarëve u mbeti vetëm shpirti, i plasi edhe në burg, me aksione policore banditeske që nuk kursyen as gra, kryefamiljarë, e vajza të mitura. Dhe teksa tundte kërbaçin mbi qytetarët e pamundur, vetë ai, Edi Rama, solli në krye të OSHEE-së, hajdutë të pashembullt të energjisë, persona më precedentë penalë, militantë të verbër pa asnjë arsimim, të zhytur në abuzime e korrupsion, te cilët nëpërmjet abuzimit me mbifaturim apo vendosjes se faturave aforfe, sollën mundësi reale mospagimi nga qytetarët”, – deklaroi kreu i demokratëve. Basha përsërit kërkesën për faljen e kamatëvonesave mbi faturat abuzive, pezullimin e pagesave për faturat e ankimuara dhe trajtimin e shpejtë të ankesave të qytetarëve. “Sot dua të përsëris propozimin e Partisë Demokratike për faljen e të gjithë kamatëvonesave të debitorëve të energjisë elektrike të akumuluara ndër vite si pasojë e abuzimit me faturën e energjisë elektrike nga ana e shtetit. Pezullimin e pagesës së faturave, për të gjithë rastet për të cilat ka një ankimim si mbifaturim, pezullimin e menjëhershëm të ekzekutimit të këtyre faturave dhe mosndërprerjen e energjisë për qytetarët. Ngritjen e një sistemi verifikimi të shpejtë për të gjitha ankesat e akumuluara për këtë çështje, për t’i kthyer përgjigje në kohë qytetarëve dhe për të shmangur në kohë pagesat dhe akumulimin e faturave abuzive dhe kamatëvonesave”, – deklaroi Basha.















