Kështu ka dal në një anketë që është zbatuar në 68 vende të botës nga Vin Gallup International si pjesë e studimit 40-vjeçar të vendeve të botës.
Sociologët kosovarë kanë mendime të ndryshme sa i përket rritjes se religjiozitetit në shoqërinë kosovare.
Ata thonë se në njërën anë kjo është pasojë e kushteve të dobëta ekonomike, arsimimit të dobët, gjë që kur arrin në nivele të larta mund të qoj në format ekstreme të praktimit, shkruan Gazeta Fjala.
Por nuk përjashtojnë edhe anën tjetër, që nëse religjioni kuptohet drejtë, atëherë e rrit kohezionin social në shoqëri dhe solidaritetin mes njerëzve.
Sipas anketës se Gallup-it, pas Kosovës me popullsi më fetare është Maqedonia me 84 për qind, Serbia me 75 për qind, Greqia me 73 për qind, derisa Shqipëria me 56 për qind.
Globalisht janë intervistuar një total prej 66,541 personave nga të cilat 62% e kanë deklaruar veten si besimtarë, 74% besojnë se njeriu ka shpirt dhe 71% besojnë në Zot, 56% në Parajsë, 54% në jetën pas vdekjes, dhe 49% besojnë se ka një Ferr.
Mungesa e arsimit dhe kushteve ekonomike
Anketa tregon se në përgjithësi, në mesin e njerëzve me nivel më të lartë të arsimit dhe të ardhura më të larta, niveli i fesë është në rënie.
Profesori i sociologjisë Besim Gollopeni mendon se ka dy arsye që kjo që kanë ndikim të drejtpërdrejt në shkallën e lartë të religjiozitetit shoqëror.
“Pra, imponimi i pranimit të diçkaje pa dëshirën e individit, familjes, grupit shoqëror apo shoqërisë në përgjithësi, siç e kemi një shembull të tillë imponimi edhe me fenë, ku përmes regjimeve politike i është imponuar shoqërisë të përqafoj religjionin ose e kundërta e kësaj. Dhe, shembuj pro dhe kundër kemi në shumë vende si në: Kosovë, Shqipëri, Kinë, Korenë Veriore etj”, thotë Gollopeni.
Në anën tjetër, sipas Gollopenit, ndikim jo të vogël ka edhe gjendja sociale dhe ekonomike në përgjithësi.
Sipas tij, niveli i ulët i arsimimit, papunësia, mungesa emancipimit shoqëror, njerëzit i mbanë më të bashkuar dhe si rrjedhojë edhe të identifikuar me fenë.
“Shumë studime të zhvilluara gjithandej nëpër botë (PEW, SAK etj), kanë vërtetuar se vendet me shkallë më të ardhura më të ulëta dhe gjendje sociale më të rënduar, kanë shkallë të religjiozitetit më të lartë”, vlerëson profesori Gollopeni.
Ndërkaq sa i përket studimit të fundit nga Vin Gallup International, Gollopeni thotë se mund të kuptohet drejtë se vendet e botës së tretë dhe vendet në zhvillim në përgjithësi, kanë shkallë më të lartë të religjiozitetit sikurse është edhe Kosova mirëpo, një situatë të këtillë sipas tij “nuk e kemi me vendet e zhvilluara siç janë; Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe vende të tjera”.
Gollopeni vlerëson se në shoqëritë ku shkalla e religjiozitetit është e lartë, vjen në shprehje sidomos përzierja e identitet kombëtar me atë fetar.
“Të marrim shembull shoqërinë kosovare, po të shikohen regjistrimet e popullsisë, mund të kuptohet përzierja e identiteteve në fjalë. Në shumicën e rasteve, kur qytetarët janë pyetur për kombësinë, të njëjtit janë deklaruar si mysliman, katolik etj”, thotë ai.
Ndikimi i organizatave të huaja fetare në rritjen e religjiozitetit
Ndërsa sociologu Leotrim Sahiti vlerëson se rezultatet e këtij hulumtimi pasqyrojnë deklarimin vullnetar të qytetarëve të Kosovës për përkatësinë e tyre fetare që më shumë është deklarativ sesa praktikues.
Ai nuk mendon se praktimi i fesë në Kosovë është në masën sa paraqitet në hulumtim.
“Hulumtimi tregon për përkatësinë fetare të deklaruar që më shumë është formale sesa reale, sepse mes deklarimit si anëtar i x fesë dhe praktikimit të asaj feje është një dallim i madh, pavarësisht kësaj qytetarët e Kosovës historikisht njihen si besimtarë edhe përkundër vështirësive dhe ndalesave që ka krijuar ish pushteti serb në Kosovë”, thotë Sahiti.
Sipas Sahitit në rritjen e religjiozitetit në Kosovë kanë ndikuar shumë faktor duke u nisur nga liritë fetare që garanton kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, ndërtimi dhe ri-ndërtimi i shumë xhamive dhe kishave në Kosovë, si dhe programet e ndryshme të organizatave të huaja fetare që operojnë në Kosovë.
Dy anët e një shoqërie religjioze
Të dy sociologët pajtohen se religjioni ka si anët e mira por edhe negative.
Gollopeni mendon se religjioni ka ndikim pozitiv pasi e fuqizon kohezionin social në shoqëri.
“Kur jemi tek funksionet e religjionit ato janë: forcimi i solidaritetit social dhe ruajtja e kohezionit social, ndenja grupore, kuptimi dhe përligjja fetare, kontrolli shoqëror dhe mobilizimi”, thotë ai.
Ndërsa sipas Sahitit Feja ka dobësitë e saj atëherë kur fillon të imponohet tek qytetarët apo të keqpërdoret për interesa të ndryshme politike e ideologjike, pra atëherë kur përdoret për indoktrinim e nxitje të ekstremizmit fetar.
“Sot njerëzit në emër të fesë vrasin, ushtrojnë dhunë, segregacion e nxisin urrejtje për qytetarët e feve tjera”, thotë Sahiti.
Sipas tij, feja duhet të jetë vullnet i lirë i qytetarëve duke garantuar kështu respektimin e vullnetit të secilit për zgjedhjen e përkatësisë të tij/saj fetare.






















