Naser SELMANI
Shumica e shqiptarëve të Maqedonisë kanë një aversion ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski për shkak të politikave të tij që favorizojnë shumicën maqedone dhe nëpërkëmbin interesin e shqiptarëve.
Unë mendoj se Gruevski me mënyrën e qeverisës përveç se na ka shkaktuar dëme, na ka bërë një shërbim shumë të madhë shqiptarëve dhe jo vetëm shqiptarëve sado paradoksale të duket kjo.
Gruevski me mënyrën e qeverisjes gjatë tetë viteve të fundit para opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtarë e ka dekonspiruar gënjeshtrën më të madhe të thurur nga ish komunistët e LSDM se Maqedonia është shtete demokratik.
Gruevski na ka bërë edhe një shërbim shumë të madh veçanërisht neve shqiptarëve duke na zgjuar nga gjumi. Na bëri me dije se partitë e vetë-deklaruara shqiptare nuk janë tonat dhe se nuk janë formuar për të mbrojtur interesin e shqiptarëve. Ato mund të drejtohen nga persona që mbajnë emra shqiptarësh, ama kjo s’ka lidhje me interesin e shqiptarëve si bashkësi.
Qeverisja e tij na dëshmoi se partitë e vetë-deklaruara shqiptare së pari janë formuar për t’u shërbyer interesave të sundimtarëve autokrat maqedonë dhe interesave të ngushta individuale dhe klanore të drejtuesve të këtyre partive.
Pas Gruevskit shqiptarët më nuk mund të lajnë veten duke thënë se kanë votuar BDI dhe PDSH sepse se kenë ditur se janë vasalë të partive maqedonase në pushtet.
Është përgjegjësi e elitës intelektuale dhe rinisë shqiptare në Maqedoni që të përpiqet të demokratizojë këto parti dhe të kërkojnë njerëz në mesin e tyre që kanë dije dhe vullnetin për të marrë drejtimin dhe për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm të shqiptarëve.
Kjo vlen në rend të pare për anëtarët dhe simpatizantët e këtyre partive sepse unë s’dua të besojë se 200 mijë shqiptarë që kanë votuar BDI dhe PDSH janë po aq të papërgjegjshëm sa Ahmeti dhe Thaçi dhe janë po aq të shantazhuar sa liderët e tyre.
Nuk është koha për parti të reja, por për gjak të ri në partitë ekzistuese nëse është e mundur të çlirohen këto parti nga kthetrat e skemave të pushtetit. Nëse jo, atëherë mund të kërkohen opsione tjera për formimin e partive të reja.
Tash është koha që shqiptarët të dëshmojnë se janë të gatshëm t’i dalin zot vetvetes. Secili prej nesh duhet të marrë përgjegjësit që i takojnë për të mos lejuar që njerëz të paaftë dhe të papërgjegjshëm si Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi dhe një grusht njerëzish të hutuar rreth tyre ta vendosin ardhmërinë tonë. Nesër ndoshta do të jetë vonë. Kohë për të humbur nuk ka. Ne duhet të merremi me hallet tona, e jo të na e qajë hallin Stambolli.















