A është kërcënuar njeri nga familja Berisha pas arrestimit të Emiliano Shullazit? Ky thashethem që po qarkullonte prej ditësh është shfaqur sot edhe në gazetën Tema në editorialin e Mero Bazes në formën e hipotezës. Pasi analizon radikalizmin e skajshëm të Sali Berishës ditët e fundit duke e shpjeguar atë me mospranimin e reformës në drejtësi, Baze një njohës i vjetër i ish kryeministrit hedh edhe një version të dytë. Ja seç shkruan ai tek “Tema”: “Pra, është e besueshme përse Berisha ndjehet i kërcënuar nga reforma dhe kërkon të ndajë veten nga PD formalisht në këtë proces, duke tentuar të rrisë tensionin me retorikën e luftës.
Por, nuk është çudi të jemi dhe para një piste të dytë, asaj të kërcënimit të dikujt të afërt në familje të tij, nga historitë e tij të kohës së pushtetit, që mund të jenë ende të hapura. Gjuha që Berisha përdori në Kuvend, pasi kishte denoncuar Shullazin, hakërrimi ndaj Edi Ramës duke i përmendur hakmarrjen mbi të birin, “në raste se…” dhe ekstremizimi i tij dy ditë më parë duke përmendur si histori lavdie 14 Shtatorin e 98-s, janë detaje ku mund të lexohet një traumë e re e tij, e cila mund të ketë të bëjë dhe me kërcënime të familjarëve të tij.
Kjo e dyta duket e vërtetë dhe nga fakti se ai përmendi 14 Shtatorin, i cili nënkupton më parë një 12 Shtator, pra një vrasje të lidhur fort me të.
E lexuar si një makth i tij, shpërthimi i tij në ABC Neës është shumë më dramatik se ai i parlamentit, ku dhe u detyrua të korrigjojë deklaratën. Kjo e fundit duket më e qartë, më e vetëdijshme si deklaratë dhe më hall, se sa shpërthimi në Kuvend. Ai po mendon seriozisht se ky vend ka nevojë për një rrëmbim armësh për t’ia nis nga e para, duke larë hesapet e vjetra dhe të reja. Dhe duket se mbi të gjitha e ka hall personal” shkruan Baze.















