Daut Dauti
Në rrethana normale dhe në shoqëritë e civilizuara, rasti i ndërrimit të emrit të dy rrugëve në Prishtinë, do të duhej të prodhonte pasoja. Së paku mediet do të duhej të aplikonin parimin: Emëro e Turpëro. Sipas këtij parimi mediat do të duhej t’i turpëronin ‘qytetarët’ që ndërmorrën iniciatvën për ndërrim të emrave por dhe zyrtarët e komunës së Prishinës që aprovuan këtë iniciativë. Do të duhej të botoheshin emrat dhe fotografitë e tyre. Psh. fotografia e zyrtarëve të Prishtinës duhet të jetë kolektive dhe e titulluar: ‘Injorantët’ apo ‘Idiotët’. Fotografia e banorëve të rrugëve që kërkuan ndërrimin me siguri duhe të jetë e formatit të madh për shkak se edhe numri i tyre duhet të jetë i madh. Por, me aparatët e sotshëm fotografik ndonjë reporter i zoti do t’ia dilte t’i fuste të gjithë brenda një kornize. Pastaj, fotografia do të botohej me titull: ‘Hajvanati’ ose ‘Turpi Jonë’.
Megjithatë, duhet të jemi real dhe ta pranojmë që kjo punë (Emëro e Turpëro) e cila është efikase në Perëndim, te ne nuk ka aspak efekt. Personat e përfshirë në ndërrimin e emrave të dy rrugëve, kur do ta shihnin veten në fotografi, nuk do të turpëroheshin aspak. Përkundrazi, do të lavdëroheshin se kanë bërë punë patriotike pasi që nga rrugët e kryeqytetit tonë historik dhe heroik kanë hequr emrat e dy ‘shkive’. Ky është mentaliteti dhe ne nuk duhet të pretendojmë kinse nuk e dijmë këtë gjë. Nga këta njerëz nuk duhet të kërkojmë njohjen e personalitetve të rëndëshishme kulturore dhe historike. Njeriu më i rëndësishëm dhe data më e rëndësishme historike për ta është ditlindja e tyre që e festojnë me aq mburrje dhe pompozitet në Facebook. Këtu fillon dhe përfundon historia për ta. Për këtë lloj të shqiptarëve, koha kur Zogoviqi dhe Novakoviqi shkruanin, denonconin dhe akuzonin qeveritë e tyre për masakrat që bëheshin ndaj shqiptarëve, është e largët. Kushedi, ndoshta as që ekziston për ta.
Një shoqëri e cila me decenie jeton pa sistem të mirfilltë të arsimimit, pa siguri personale e shëntetësore dhe, mbi të gjitha, pa qeveri e cila nuk mund të krijoj polici të pavarur e as ushtri të asnjë lloji, nuk ka se si të prodhoj qytetar me mentalitet tjetër. Përkundrazi, duhet të habitemi si paskan qëndruar kaq gjatë këto dy rrugë më këto emërtime ‘sllavo-bizantine’. Ose, kush paska qenë ai që i paska emërtu se?
Shoqëria jonë ka ndërtuar ‘qytetarin’ me plot urrejtje ndaj pjesës dërmuese të planetit tokë. Urrejtja e tij fillon diku në Evropë, te vetvetja e tyre, vazhdon në Azi e shkon deri në Afrikë apo edhe më larg nëse ata e dijnë se atje (diku) ekziston edhe ndonjë kontinent tjetër me njerëz që nuk janë si ‘shqiptarët’. Në Kosovë ia vlenë të jesh vetëm amerikan. Nëse nuk je amerikan, kot e ke. Nuk je njeri.
Realiteti jonë tregon se nuk jetohet pa turp në rrugën që quhet Kosta Novakoviq ose Radovan Zogoviq. Banorët e këtyre dy rrugëve dhe zyrtarët përgjegjës të komunës së Prishtinës e kanë zgjidhë problemin e tyre me faktin se rrugët tani më kanë emra të shqiptarëve. Ndoshta duhet të habitemi pse nuk ndryshohen edhe emrat e rrugëve tjera. Psh. të hiqen të gjitha emërtimet tjera ‘sllave’, (nëse ka mbetë ndonjë) por edhe rrugët me emra të ndonjë intelektuali shqiptar (nëse ka emërtime të tilla) dhe të zëvendësohen me emrat e ‘heronjëve’ tanë që janë ende gjallë. Kjo do të na ndihmonte që edhe zyrtarisht të shpallemi shtet me banorë injorantësh të cilëve u pëlqen të udhëhiqen nga banditët.
Është kohë e vështirë kjo e sotshmja. ‘ Ka ardhë vakti kur tërshana shitet ma shtrejt se gruni’- thotë një shprehje e vjetër e jona. Jemi duke jetuar (me mburrje) në Epokën e Tërshanës. Ndoshta një ditë mësojmë se si kultivohet dhe konsumohet gruri.
















