Aksioni i OSHEE-së në kryeqytet, dhe më konkretisht në zonën e Komunës së Parisit, që është përqendruar në luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike, u ndoq më nga afër sot nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi.
Peleshi u njoh sot nga punonjësit me ecurinë e ndërhyrjeve, ndërsa u kërkoi atyre që t’i kushtojnë rëndësi komunikimit me qytetarët, për të përçuar tek ata mesazhin se, që të zgjidhet problemi i energjisë duhet që të investohet në sistem, por mbi të gjitha, që “secili prej nesh të paguajë energjinë që konsumon, sepse nuk është e drejtë që shumica të paguajë energjinë, kurse disa jo”.
Ai shtoi se jo rastësisht ky aksion ka nisur nga bizneset, pasi është e pafalshme që të fitohen para duke mos paguar energjinë në kurriz të atyre qytetarëve që janë të rregullt.
Peleshi foli edhe për akuzat e opozitës, duke u shprehur se kjo nuk është një garë mes qeverisë e opozitës se kush bën populistin më të madh, aq me tepër që kjo qeveri vazhdon të përballet me problemet e krijuara nga qeveria e kaluar, sot në opozitë dhe nëse do të vazhdohet njësoj si në të shkuarën, do të përballeshim me të njëjtat probleme, të cilat shqiptarët i njohin mirë e nga të cilat duan të shpëtojnë njëherë e mirë.















