Andrea Billa, i njohur në Vlorë edhe si Agim Meli, ishte kthyer nga Spanja për festat e fundvitit. Ai u vra pranë makinës së tij dhe dyshohet për hakmarrje
Një emigrant në Spanjë, i cili ishte kthyer për pushime në Vlorë është ekzekutuar mbrëmë me katër plumba në një atentat nga persona të paidentifikuar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Rilindja” të qytetit bregdetar dhe menjëherë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e këtij krimi, që paraprakisht mendohet se ka ndodhur për larje hesapesh.
Burimet policore lokale bënë me dije se njoftimi për këtë vrasje është dhënë rreth orës 21:40 nga kalimtarë të rastësishëm, të cilët fillimisht kanë dëgjuar disa të shtëna dhe më pas kanë gjetur në grahmat e fundit të jetës emigrantin 36-vjeçar, Andrea Billa, i cili ndodhej pranë pallatit pas Sigurimeve Shoqërore. Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policore, të cilat kanë identifikuar viktimën, i cili ishte qëlluar me katër plumba në trup. Sipas grupit hetimor, Billa, i cili njihej edhe me emrin Agim Meli, ka qenë pranë automjetit në pronësi të tij, me targa AA 330 AB, kur një person i paidentifikuar mendohet se i është afruar nga pas dhe e ka qëlluar me katër herë me pistoletë. Kjo kuptohet nga këqyrja e viktimës, ndërkohë që në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja, që i përkasin pistoletës TT, me të cilën mendohet se është kryer krimi.
Pas identifikimit, policia ka pyetur të njohur dhe të afërm të viktimës, të cilët kanë treguar se ai jetonte në Spanjë dhe prej pak ditësh ishte kthyer në Shqipëri, me qëllim për të kaluar festat e fundvitit dhe do të udhëtonte sërish drejt gadishullit Iberik. Ndërkohë, në lidhje me dyshimet mbi autorët e vrasjes, të njohurit e viktimës nuk kanë mundur të japin ndonjë pistë të mundshme. Megjithatë, policia tha se ka ngritur dy pista hetimore paraprake, një për hakmarrje, por nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt i ditëve të fundit. Policia po verifikon lëvizjet e 36-vjeçarit sidomos gjatë 48 orëve të fundit, nëse ai ka pasur konflikt me ndonjë banor ose person me precedentë penalë, por njëkohësisht po heton të shkuarën e tij edhe për shkak të ndryshimit të emrit. Për këtë arsye, shërbimet e policisë kanë ngritur pika kontrolli në të gjithë vendin dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit. Deri në mesnatë janë shoqëruar disa persona, por nuk ka pasur konfirmim për ndonjë të arrestuar.















