Komisioneri i Bashkimit Evropian për Migracion, Punë të Brendshme e Fqinjësi, Dimitris Avramopulos, ka deklaruar se po shihet mundësia për rikthimin e vizave për Shqipërinë, nëse do të ketë rritje të emigracionit të paligjshëm dhe të kërkesave për azil në vendet e Bashkimit Evropian.
“Në luftën e përbashkët kundër drogës, Shqipëria ka marrë përgjegjësitë e veta për t’i shkatërruar këto banda dhe ne po bashkëpunojmë. Sa i përket pezullimit të vizave, mund t’ju them se ne po e monitorojmë situatën dhe është monitorim për të gjitha vendet dhe jo vetëm për Shqipërinë. Duhet të ulet rreziku për emigracionin e paligjshëm. Mekanizmi i pezullimit të vizave nuk është vënë në lojë, por nëse ka një rritje të emigracionit me mbi 50 përqind të emigrantëve të paligjshëm dhe ka refuzim të kthimit në vendlindje, atëherë ekziston edhe kjo mundësi. Një mundësi tjetër është edhe nëse ka cenim të sigurisë nga aktet terroriste. Në këto raste kërkohet aplikimi i mekanizmit për pezullimin e vizave. Për momentin nuk ka problem, por ne po e monitorojmë situatën”, është shprehur Avramopulos.
“Ne duhet të japim një kontribut të përbashkët. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shtojnë kontrollin për të parandaluar emigracionin e paligjshëm, për të garantuar kështu siguri për gjithë Evropën. Nga janari e deri në maj, përmes Detit Mesdhe, në Europë kane hyrë shume emigrantë ilegalë”, ka shtuar ai.
Komisioneri Avramopulos mori pjesë në takimin e ministrave të Drejtësisë dhe të ministrave të Brendshëm, i cili u mbajt në Tiranë.
Gjatë kohës së ministerialit, Shqipëria nënshkroi me BE-në një marrëveshje për vendosjen e forcave të Bashkimit e Europian për kontrollin e kufijve FRONTEKS në pikat kufitare tokësore dhe detare, krahas policisë shqiptar.
























