Ditën e sotme në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel u publikua letra e Elton Metajt, i cili para disa ditësh vrau ish-bashkëshorten e tij, Sabrina Bengaj.
Në letrën e tij, ai shkruante se ish-vjehrri e ka kërcënuar disa herë duke i thënë “do të të zhduk”. Madje Eltoni rrëfente se Sabrinën e takonte sërish pas daljes nga burgu dhe se kishin kryer marrëdhënie.
Më pas Metaj shprehet se kur ka shkuar në shtëpinë e saj, e ka gjetur duke folur në “Skype” me të dashurin. Si pasojë, ai ka nxjerrë armën, e cila i ka dalë nga kontrolli dhe është shkrepur duke lënë të vdekur në vend 23-vjeçaren.
Pas kësaj letre ka reaguar menjëherë babai i të ndjerës, Partizan Bengajt. Në një lidhje telefonike me “Shqipëria Live”, ai tha se për “Eltonit duhet të jepet burgim i përjetshëm ose litari”.
“Burgim të përjetshëm. Ai ka bërë mashtrime kundër meje. Nuk merrem me këto lloj plehrash. Më vjen keq për zotin Cakrani, si papagall nuk është keq, i heq kapelën. Por më duket se po mbron një plehrë. Ti nuk je njeri të bësh ashtu deklaratash për vajzën time. Mua më shtyjnë të shkoj në ekstrem”, tha zoti Partizani.
Ky i fundit hodhi poshtë deklaratat e Eltonit se e ka kërcënuar. Sipas tij, Sabrina është mashtruar dhe rrëmbyer nga Metaj.
“Nuk publikohen gjëra të tilla, Eltoni, burgim të përjetshëm ose litar, pa asnjë lloj apelimi. Sabriana është mashtruar dhe rrëmbyer. Unë nuk kam qenë dakord. Nuk dija prapaskenat e dhunës. E ajo dhunë bëri që djali im të shkonte e ta merrte nga shtëpia. Kam shkruar në shtëpinë e tij sipas ligjit dhe kam marrë Sabrinën dhe të gjitha gjërat e saj”, tha babai i të ndjerës.




















