Shqipëria është një vend me borxh në nivel kritik. Ky është vlerësimi i ekspertëve gjermanë për rrezikun që i kanoset një sërë vendeve nga kriza e borxheve.
Sipas raportit mbi borxhet publike, të publikuar në DW, aktualisht Shqipëria e ka nivelin e borxhit mbi 72%, i cili vlerësohet mjaft i rrezikshëm për ecurinë ekonomike të vendit.
Rritja e borxhit publik, sipas ekspertëve, është një pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik, por edhe për investimet në ekonomi.
Qeveria synon që ta ulë në 68% në vitin 2017 si dhe në 59.3% në vitin 2019. Kjo pritet të arrrihet nëpërmjet tkurrjes së huamarrjes dhe reduktimit të shpenzimeve.
Sipas raportit mbi borxhet, 108 shtete konsiderohen “me borxhe kritike”.
Raste dramatike paraqiten në periferinë europiane si në Kroaci, Serbi, Ukrainë e Shqipëri.
Eksperët ngrenë si shqetësim faktin se mund të kemi një përkeqësim të gjendjes së borxheve e ndikuar kjo nga rënia e ndjeshme e çmimeve për lëndët e para, zhvillimet e paparashikueshme në tregjet e kapitalit dhe një rritje e dobët ekonomike globale.
Për të përmirësuar situatën, eksperët i bëjnë thirrje Qeverisë gjermane që krizën e borxheve ta vendosë në axhendën ndërkombëtare, duke kërkuar krijimin e një kuadri global ligjor për zgjidhjen e krizës së borxheve në të cilin të merren parasysh edhe interesat e vendeve në borxhe.















