Zbardhen detaje nga arrestimi i pjesëtarit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, pasi prej kohësh shantazhonte një kolegen e tij, E.K. se do t’i publikonte një video intime.
Arrestimi u krye pas një hetimi disajavor ndaj efektivit të Ushtrisë, Gersian Dumi, i cili akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një kolege të tij. Ai fillimisht kishte kërkuar të kishte një raport me kolegen, por më pas kërkesat e tij ndaj të dëmtuarës kanë qenë të vazhdueshme dhe kanë arritur deri te kërcënimet.
Si mjet për të kërcënuar kolegen me iniciale E.K. mësohet se autori i ngjarjes ka përdorur pretendimin se kishte në zotërim një video intime të saj, të cilën do ta bënte publike, nëse ushtarakja nuk pranonte lidhjen me kolegun dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale.
E ndodhur nën kërcënime dhe shantazhe të vazhdueshme, ushtarakja me iniciale E.K. ka vendosur të drejtohet në polici dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të denoncuar rastin.
ARRESTIMI
Arrestimi ka ndodhur pikërisht në zonën e Saukut, ku shtetasi 23-vjeçar Gersian Dumi, anëtar i FA-ve, kërkonte të takohej me kolegen e tij në Ushtri. Qëllimi i takimit të autorit të ngjarjes me kolegen ishte kryerja e marrëdhënieve seksuale”, kanë bërë me dije burimet e hetimit të çështjes.
SHANTAZHI
Duke nisur prej dy muajsh më parë, autori i ngjarjes Gersian Dumi kishte filluar ngacmimet ndaj koleges së tij në Ushtri. Ai kishte hapur një adresë false në “Facebook” për të mos u identifikuar dhe kishte bërë ftesë për miqësi me kolegen me iniciale E.K. Më pas, ai ka biseduar disa herë me të dëmtuarën, të cilës i ka bërë edhe komplimente të ndryshme dhe në fund i ka kërkuar të takoheshin e të krijonin një raport seksual.
Duke qenë se e dëmtuara, efektive e Ushtrisë, ka kundërshtuar dhe ka vendosur të ndërpresë komunikimin, 23-vjeçari, sipas hetuesve, ka nisur ta kërcënojë. Ai ka pretenduar e kishte foto dhe video intime të koleges dhe e ka kanosur atë se, nëse nuk pranonte të kryente marrëdhënie seksuale me të riun, materialet intime do të bëheshin publike.
DENONCIMI
E ndodhur nën kërcënimet e ushtarit profesionist, shtetasja me iniciale E.K. ka shkuar në Polici dhe ka bërë kallëzim penal. Sektori i Hetimit të Krimeve Kompjuterike ka kryer procedurat e para të hetimit dhe në koordinim me policinë, ushtarja profesioniste ka lënë takim me kolegun.
Burimet zyrtare thanë se 23- vjeçari, Gersian Dumi, ka rënë në pranga pikërisht në zonën e Vilave Gjermane, ku kishte lënë të takohej me kolegen për të shkuar në hotel. Skenari i të riut ndryshoi kur në vend të koleges ushtarake që ngacmonte u përball me efektivat e policisë, që i vunë prangat dhe e shoqëruan në ambientet e izolimit./Panorama/























