EDUKIMI:
• Bachelor of Laws with First Class Honours, Brunel University London.
• Master of Laws (LLM) in International Legal Studies, New York University.
PERVOJA: Intel Corporation, GTECH, European Commission.
Aktualisht jurist pranë CME Group, një burse fi nanciare ndërkombëtare në City of London.
Roli i avokatit ka qenë një thjesht një kuriozitet fëmijërie, por që do të shndërrohej në ëndrrën e tij më të madhe. Nga Kryeziu, stacionet e udhëtimit të tij drejt suksesit do të ishin Londra, Nju Jorku, Brukseli.
Po Eduard Alia i përket atyre intelektualëve që “nuk rrinë rehat”, por mbesin thellësisht qytetarë të angazhuar, natyrshëm dhe një model suksesi për shqiptarët e Britanisë dhe më gjerë.
Si nisi udhëtimi ne profesionin tuaj ?
Që i vogël kam dashur të jem jurist. Me kujtohet që isha shumë kurioz mbi rolin e avokatit, kur po ndiqja një dokumentar, për mënyrën se si dënoheshin njerëzit në kohën e diktaturës. Më pati shpjeguar babai, që ligjet janë shpesh komplekse dhe një avokat duhet të njohë, në thellësi, të gjithë legjislacionin e procedurën ligjore, në mënyrë që të mbrojë një individ kundrejt makinerisë shtetërore. Nga ai moment e kam adhuruar këtë profesion. Edhe pse përgjatë shkollës së mesme u pata shkruar qindra universiteteve perëndimore, në kërkim të një burse studimesh, ajo gjë nuk u bë e mundur. Në Shqipëri jo e jo, por fatmirësisht ia arrita ta realizoj këtu, në Mbretërinë e Bashkuar. Dhe mund të them me krenari që e nderova Shqipërinë, duke dalë si një ndër studentët më të mirë të vitit.
Cilat kanë qenë stacionet e udhëtimit tuaj?
Nuk ka qenë fare e lehte për të arritur këtu ku jam sot. Si fillim, jam përballur me të gjitha problemet që kanë hasur shumica e shqiptarëve – qoftë ambientimi me vendin, aspektet financiare, letrat, etj. Së dyti, të studiosh juridik në një gjuhë të dytë, është një sfidë me vete!
Së treti, qëllon që atë vit që mbarova juridikun edhe Britaninë e ShBA-të I kaploi kriza ekonomike më e madhe që njihej prej 70 vitesh! Në kulmin e krizës, pasi kisha shumë kredi studentore të akumuluara prej 5 vitesh studimi, e ndjeva veten me fat që sigurova një stazh me një prej studiove ligjore më prestigjioze në botë – pa pagesë! Ironia më e madhe ishte se përgjatë stazheve, herë me pagese, herë pa pagesë, më ra edhe të punoja në vet-administrimin e bankës se falimentuar “Lehman Brothers”, që pak a shumë ishte shkaku dhe epitomia e vetë krizës. Nju Jorku ka qenë vërtet një stacion i paharrueshëm. Ngelet, mbase, viti më i bukur i jetës sime. Studimet aty ishin jashtëzakonisht sfiduese, nga ana intelektuale, por në të njëjtën kohë ambienti ishte stimulus, në një mënyrë të papërshkrueshme.
Shkollat britanike janë të famshme në gjithë botën, për mendimin kritik, kurse përvoja në ShBA ishte diçka tjetër: aty përballesh me një kulturë “libertariane”, që të ndihmon formën e mendimit të lirë e të pavarur. Ky vit nuk ishte i rëndësishëm vetëm në aspektin profesional – ishte hapje e një horizonti botëror!
Një stacion i rëndësishëm në karriere, por edhe në jetë, ishte edhe një periudhë pranë Komisionit Europian në Bruksel. Natyrisht, përvoja me institucionet Europiane, ka qenë realizim i një ëndrre profesionale. Por edhe me rëndësishëm se aq, aty pata fatin që të njihem edhe më të fejuarën time, Donën. Përgjatë këtyre stacioneve, përveç njerëzve nga e gjithë bota, kam njohur dhe krijuar lidhje edhe me shumë intelektualë shqiptare. Në Nju Jork pata rastin e mire të njihem nga afër me APEN (Albanian-American Professionals and Entrepreneurs Network) – mbresat e mira nga APEN me dhanë shtytje, një vit më vonë, që të themeloj një rrjet juristesh, këtu në Londër, që eventualisht kulmoni me UKAP (UK Albanian Professionals). Edhe në Bruksel u angazhova me segmente të ndryshme të komunitetit shqiptar atje.
Për cilën prej arritjeve tuaja ndjeheni më krenar?
Projekti për të cilin jam më krenar është UKAP. Në prill të 2010-s, i bllokuar nga vullkani islandez, ndërkohë që duhej të kaloja një fundjave me diell në Romë, më ra që të kaloja fundjavën në shtëpi, para kompjuterit. Mendova t’i sjell bashkë të gjithë juristët e studentët e juridikut që njihja nëpër Londër, për një takim me idenë për të formuar një shoqëri. Kryesisht kisha ndërmend shkëmbimin e informacionit, ideve dhe mundësive profesionale – mbi të gjitha shkëmbimin e përvojës, mentorimin, si të thuash, nga juristet me përvojë drejt studenteve. Ndër të tjera, mendoja që juristet, mbase janë edhe bërthama e duhur për të krijuar më vonë diçka, sipas modelit të APEN të ShBA-së. Dhe kështu në fakt doli. Rrjeti UKAP ka qenë shumë i suksesshëm, duke sjellë së bashku një numër të madh profesionistësh e talentesh nga shumë fusha profesionale, por edhe biznesi, arti, etj. Është tejet frymëzuese, që një komunitet relativisht i ri të ketë arritur kaq shumë! Nuk harrojmë, që si brez i parë duhet që të krijojmë mundësi për brezat e rinj që vijnë, t’u japim atyre mundësitë për të cilat ne, si brez i parë i komunitetit shqiptar këtu, me pak kontakte e pa njohuri të forta gjuhësore, na u desh të luftonim shumë. Në janar 2015, patëm një takim shumë të frytshëm me studentët shqiptarë të London School of Economics dhe një dorë profesionistësh – me shumë të tilla do bëjmë edhe në vazhdim. Përveç aktiviteteve me orientim profesional/biznesi, kemi bërë edhe fushata bamirësie, si p.sh. një gjysmë-maratone, ku ngritëm më shumë se 10,000 pound për gjuhën shqipe nëpër shkolla të mesme. Këtë vit që pasoi, po ashtu, ngritëm fonde për fëmijët refugjatë siriane, e plot aktivitete të tjera të natyrës komunitare. E megjithatë, puna vazhdon me UKAP. Kemi ende shumë për të bërë. Në të ardhmen shpresojmë të ndërtojmë më shumë ura bashkëpunimi mes Britanisë dhe trojeve shqiptare.
Çfarë është atdheu për ty?
Në Belgjikë pata vënë re, që pjesa frankofone e Belgjikës i referohej vendit amësi “mëmëdhe”, ndërkohë që flamanet (që flasin hollandisht) i referohen si “atdhe”. Kjo më pati bërë të mendoj shumë për këtë koncept. Thuhet që dashuria e nënës është pa kushte. Ndërkohë dashuria atësore është e lidhur deri diku me logjikën.
Gjithsesi formulimi “atdhe” apo “mëmëdhe” tregon diçka për patosin psikologjik të një kombi. E ne shqiptaret, që përdorim të dy fjalët, del që jemi në dilemë. Pavarësisht
nga dilema filozofike, duket që të gjithë e lidhin vendin prej të cilit vijnë me prejardhjen e tyre prindërore, me ata që të japin jetë e të ushqejnë lugët e para, hapat e parë… Unë di një gjë: për Shqipërinë kam një dashuri pa kushte! Gjithashtu kam një lidhje të veçantë me vendlindjen time, Kryeziun (Puka), një fshat që e zbukurojnë kurorat madhështore të disa prej maleve më të larta në Shqipëri dhe po ashtu me qytetin e Shkodrës, ku pata kryer shkollën e mesme.
Bashkëpunimi brenda komunitetit tonë në Britani dhe roli juaj si aktivist?
Suksesi i UKAP si dhe shumë shoqëri shqiptare të Britanisë, janë shenja që tregojnë që diaspora shqiptare e Londrës, gradualisht, po shndërrohet në një komunitet koheziv e të suksesshëm njëkohësisht. Duke qenë shumë i angazhuar me komunitetin shqiptar të Britanisë, gati si pa dashur kam përfunduar duke bërë edhe një fare roli si aktivist apo “avokat publik”. Nuk mundesh të rrish duarkryq, ndërkohë që probleme nga më shqetësueset raportohen nga bota shqiptare – e cila tashmë nuk njeh as kufij. Kjo ka bërë që disa herë ta gjej veten i përfshirë me peticione, protesta e fushata sensibilizimi, për të ngritur vëmendjen për problemet e shoqërisë shqiptare. Kauzat përfshijnë reagime në raste të veçanta, si vdekja në burg e një shtetasi shqiptar në Greqi, por edhe çështje që na përkasin të gjithëve, si p.sh. e drejta votës për diasporën shqiptare, realizimi i të cilës do të ishte diçka simbiotike, ku përfitojnë edhe Shqipëria edhe diaspora. Ideja është që, sensibilizimi shoqëror, një ditë të kthehet në një mobilizim efektiv të vete shqiptarëve, për të kërkuar të drejtat që u takojnë.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Karriera ime do të vazhdojë në botën e biznesit ndërkombëtar. E ndiej veten me fat që kam një punë jashtëzakonisht stimuluese nga ana intelektuale. Të punosh si jurist, me një kompani që punon rrotull globit përgjatë 24 orëve, do të thotë që dy dite nuk janë kurrë njëlloj! Siç mund të kuptohet, ndërmarrja sociale apo public advocacy është diçka që më vjen për mbarë, madje edhe më pëlqen – tashmë është gati hobi im kryesor. Ky rol na ka rënë, si të thuash, në shpinë. Është pak e vështirë t’i pranosh shumë padrejtësi që i shohim çdo ditë që bëhen në shoqërinë shqiptare (qoftë në diaspore, qoftë në trojet shqiptare) dhe të bësh sikur çdo gjë është në rregull, apo ta lesh në dorën e fatit e të ardhmes. Unë për vete ndjej një përgjegjësi morale të kontribuoj me aq sa mundem dhe mendoj që të gjithë duhet të bëjmë maksimumin, në këtë drejtim. E di
që kjo më bën ta quaj veten një “qytetar i angazhuar”, por e theksoj: apolitik.
Mesazhi juaj për shqiptaret ne Britani
Do kisha dashur të shihja që shqiptarët në Britani, në trojet shqiptare, apo kudo nëpër botë, të jenë më shumë “qytetarë të angazhuar”. Vijmë nga një prej vendeve më të bukura të botës. Është për të ardhur keq që 1/3 e popullsisë jemi emigrantë. Duhet që ne vetë t’i vëmë shpatullat shtetit, në mënyrë që të ndërtojmë një shoqëri shqiptare të suksesshme e të denjë për të qenë një model e jo “Shqipnija me krye n’hi” që vazhdon të jetë sot.
Kjo bëhet vetëm nëse të gjithë kolektivisht jemi më të përgjegjshëm e aktivisht të angazhuar, për të mirën tonë të përbashkët. Vërtet që historia ka qenë e vazhdon të jetë e padrejtë me ne, por është në dorën tone dhe i kemi të gjitha mundësitë sot që ta ndryshojmë kursin e saj. Bisedoi Petrit Kuçana
















