Kryeministri Edi Rama, i cili që në rini u dallua, penetroi dhe bëri përpara në politikë falë qëndrimeve të forta kundër Sali Berisha, edhe tani, që është në një moshë më të madhe dhe ka tre vjet që qeveris Shqipërinë, doli sot live në një konferencë për shtyp për t’u folur shqiptarëve përsëri për… Sali Berishën.
Qytetarët, të tronditur nga faktet e frikshme se si një bandë dhe një individ i lidhur me dhjetra fije me pushtetin, ka ngritur një perandori të errët, me prona, toka, gjoba ndaj bizneseve, presione ndaj zyrtarëve të shtetit, korruptim të policisë, e shumë e shumë veprimtari kriminale, prisnin sot nga kryeministri i vendit një shpjegim për fenomenin Shullazi, i cili nuk është një rast i izoluar. Prisnin pse jo, që kryeministri të kërkonte edhe ndjesë për tre vite panik dhe tension, ku shpërthimet me tritol, vrasjet, kërcënimet dhe atentatet në mes të qyteteve, kanë qenë lajm dite. Kryeministri ka qenë në dijeni për pjesën më të madhe të këtij aktiviteti kriminal, por nuk ka folur dhe nuk ka vepruar.
Nuk foli as sot, por ashtu siç ka bërë në gjithë karrierën e tij, thirri në ndihmë Saliun. E akuzoi përsëri, e vizatoi përsëri si rrezikun më të madh, tha se Saliu nuk do reformën në drejtësi, se duhet dërguar në arkiva, se Saliu është i dëshpëruar, se ka bërë thirrje për të marrë armët për të provokuar përplasje të armatosur. Tha e ç’nuk tha për Saliun. Por në fund nuk tha asgjë. Kryeministri i vendit foli si një komentator shtypi që dha konsideratat e tij për Saliun e të shkuarën, duke harruar se ai është kreu i qeverisë prej të cilit priten veprime dhe jo vlerësime, konstatime, epitete dhe metafora.
Kryeministri Rama ka përgjegjësi për sigurinë e qytetarëve. Ai duhet të përgjigjet për nivelin e frikshëm të krimit dhe korrupsionin të gjitha fushat e qeverisë. Për shndërrimin e vendit në një Siçili të viteve ’80 dhe për impotencën totale të policisë dhe strukturave qeveritare anti krim. Kryeministri duhet të jepte llogari për faktin se si ka mundësi që biznesi i madh është peng i raketingut, se si u vendoset tritol apo eleminohen fizikisht ata që nuk paguajnë, se si drejtoria e pastrimit të parave që gjobit emigrantët e thjeshtë kur kalojnë në Shqipëri lekët e kursyera mbyll sytë përpara “dhurimit” të pronave individëve që nuk kanë asnjë biznes të ligjshëm.
Kryeministri jo vetëm që i di këto, por me shumë gjasë mund të jetë edhe vetë i implikuar, prandaj, ashtu si një i varur prej efektit të medikamentit që e mban në jetë artificialisht, sot pati nevojë përsëri për një dozë të madhe Berishë. Për ta përdorur edhe njëherë kundërshtarin politik si të vetmen arsye për të mbajtur pushtetin. Por përdorimi i tepërt një ditë do ta humbasë efektin dhe atëherë Edi Ramës do t’i duhet të përballet me qytetarët për qeverisjen e tij, pa ndihmën e Saliut. Edhe tani është bërë tepër, është kaluar çdo kufi në përdorimin e pilulës “fajin e ka Saliu”. Edi Rama, pas 18 viteve në politikë duhet të krijojë diçka edhe vetë. Përndryshe, fiksimi për të kërkuar ndihmë tek Saliu, do t’i kthehet në proverbial, si ato vargjet e famshme: U plake e dorë nuk hoqe…lapsi.al