I pari në seline e Presidentit Bujar Nishani mbërriti kryeministri Edi Rama. Ai përshkoi në këmbë rrugën nga Kryeministria, ku ndodhet edhe çadra e protestës, dhe hyri në selinë e kreut të shtetit për takimin me kryetarin e Partisë Demokratike. Rama shoqërohej nga Gramoz Ruçi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaci, i cili përpara Presidencës është larguar. Rama dhe Ruçi hynë brenda për takimin.
Pak më vonë, në Presidencë mbërriti Lulzim Basha dhe Edi Paloka. Të dy udhëtonin me një automjet dhe së bashku u futën në selinë e kreut të shtetit për takimin.
Për këtë takim u lejua vetëm një mundësi e shkurtër për foto dhe pamje filmike dhe gjatë kësaj kohe nuk pati asnjë shtrëngim duarsh.
Kamerat janë lejuar të filmojnë më pak se 2 minuta këtë takim, mjaftueshëm sa për të kuptuar se dy liderët kanë shmangur përgjatë kësaj kohe çdo shikim mes njëri-tjetrit. Por, buzëqeshjet e shkëmbyera me Presidentin e Republikës nuk kanë munguar dhe kreu i shtetit, edhe përgjatë këtyre minutave, ka luajtur rolin e negociatorit, duke biseduar herë me njërin e herë me tjetrin, ndërsa Paloka dhe Ruçi nuk janë bërë pjesë e bisedave të shkurtra.
Të katërt kanë mbërritur në tryezën e negociatave të Presidentit të Republikës me një dosje përpara, të cilin Basha nxitoi ta hapë përpara mediave. Mediat janë larguar nga garda për t’i hapur rrugën më pas një takimi kokë më kokë mes dy liderve politikë në prani të kreut të shtetit, në pritje të një vendimi që mund të shënojë pikën e kthesës për këtë krizë politike gati 3-mujore.
https://www.youtube.com/watch?v=4NWd3bRP1QQ?feature=oembed&w=640&h=360






















